TIRANË, 22 gusht/ATSH/ – Shqipëria është e bekuar me të gjitha thesaret që natyra mund të ofrojë. Vargmale të larta e të hijshëm, lumenj të kulluar plot bukuri, bregdet të mrekullueshëm e çdo gjë tjetër që natyra me bujarinë e saj i jep njerëzimit.
Janë burimet fantastike të ujërave termale, krejtësisht natyrale dhe të pasura me veti të panumërta shëruese për çdo sëmundje. Një mundësi e artë për turizëm shëndetësor, me një potencial të jashtëzakonshëm kurativ e mbi të gjitha përthithës i turistëve të huaj.
Një term ende i panjohur për shqiptarët, megjithëse është mënyra më e mirë për të mbajtur trupin e shëndetshëm, për të kuruar njëkohësisht probleme të ndryshme shëndetësore e për të shijuar bukuritë që natyra i ka falur vendit tonë gjithashtu.
Të pasura me sulfate dhe lëndë minerale, ato kanë efekte kurative të reumatizmës, lëkurës dhe sistemit nervor.
Llixhat e Elbasanit, nga periudha romake në ditët e sotme
Llixhat e Elbasanit janë ndër më të njohurat në vend. Kjo pasi, janë ndër të vetmet qendra që prej dekadash me radhë ka shfrytëzuar ujërat termale pranë tyre, ku po zhvillohet në mënyrë të mirëfilltë turizmi shëndetësor. Llixhat e Elbasanit janë burime të njohura dhe të përdorura që nga koha e periudhës romake.
Analizat e ujërave të këtyre burimeve janë kryer në mënyrë të specializuar nga ana e inxhinierëve çekë, të cilët kanë evidentuar vlera të larta terapeutike. Këtu trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut, etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike.
Banjat e Hapura të Bënjës së Përmetit
Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe Banjat e Bënjës, gjenden 14 kilometra larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 kilometra larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Langaricës. E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është 26 - 32 gradë celsius.
Katër burime që përdoren për sëmundjet kronike të reumatizmave (artikulare), një burim për sëmundjet e stomakut dhe një burim për sëmundjet e lëkurës.
Trajtime të tjera janë për sëmundjet kronike të remautizmës.
Ujërat termale të Leskovikut
Gjenden 10 kilometra në jug të qytetit të vogël të Leskovikut. Janë burime termale të pasura me kripëra të ndryshme, të cilat trajtojnë disa lloje sëmundjesh.
Temperatura e ujërave shkon nga 29 - 40 gradë celsius. Edhe këtu është ngritur një qendër që ofron akomodim, asistencë mjekësore si dhe shërbim hotelerie.
Llixhat e Peshkopisë
Këto llixha burojnë nga formacionet e gipseve të malit të Korabit. Janë dy burime sulfurore me temperaturë 35 - 43,5 gradë celsius dhe me një prurje prej 14 litra për sekondë. Ato kanë përmbajtje kaliumi dhe sulfatesh.
Efektet e tyre janë fantastike lidhen me sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes: si azma bronkiale, bronshite, reamautizmën, diabetin, sëmundjet e lëkurës dhe probleme gjinekologjike.
Burimet termale të Bilajt
Këto burime gjenden në rrugën nacionale Vorë - Fushë-Krujë në fshatin Bilaj, pranë urës së Gjolës. Janë burimet më të afërta me Tiranën. Burimet e këtyre ujërave termalë dalin nga depozitimet e luginës së Ishmit.
Këto burime janë të pasura me lëndë minerale si kalcium, kripëra, kalium, hekur, magnez etj. Temperatura e ujërave është 55 gradë celsius. Falë këtyre ujërave mund të kurohen probleme të remautizmës, lëkurës dhe sistemit nervor. /z.tosku/j.p/











