TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Në kuadër të “Javës së vaksinimit masiv të studentëve” po vijon procesi i vaksinimit të tyre, ku ekipet e shëndetësisë janë në dispozicion të studentëve pranë fakulteteve ku ata studiojnë, çdo ditë të kësaj jave nga ora 08:30-14:00.
Agjencia Telegrafike Shqiptare ka ndjekur nga afër këtë proces në disa fakultete në kryeqytet, ku janë paraqitur një numër i lartë studentësh për të kryer vaksinën.
Vaksinimi masiv vijon në pikat e përqendruara të vaksinimit, në qendrat shëndetësore, poliklinika si dhe nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,803,799 doza të vaksinave kundër COVID-19. Prej tyre 834,469 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antikovid. Ditën e hënë, datë 11 tetor, janë kryer 6,339 vaksinime në të gjithë vendin.
Vaksinimi është i hapur dhe të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën e tyre shëndetësore, në poliklinika ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, çdo ditë, nga 08:00-20:00, për të kryer vaksinën antikovid. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,262,960 vaksina antikovid.
Pikat e vaksinimit pranë fakulteteve në Tiranë:
– Fakulteti i Mjekësisë
– Fakulteti i Infermierisë
– Fakulteti i Stomatologjisë
/r.e/












