Ballina Flash

Titulli “Naim Frashëri” për arsimtarin Ymer Distafa

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit, Presidenti Ilir Meta dekoroi arsimtarin Ymer Distafa (pas vdekjes) me titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin: “Në vlerësim të përkushtimit të jashtëzakonshëm për zhdukjen e analfabetizmit dhe konsolidimin e arsimit shqiptar, pas çlirimit të vendit. Në nderim të punës së palodhur në Shëngjergj për përçimin e diturisë dhe edukimin shoqëror e kulturor të brezave të rinj, si dhe për kontributin 40-vjeçar të dhënë si mësues fisnik në fushën e arsimit në këtë zonë”.

Në ceremoninë e organizuar në fshatin Shëngjergj, Presidenti Meta u shpreh se, “historia e krahinës së Shëngjergjit është e mbushur me momente shumë  të rëndësishme. Kjo krahinë antifashiste është dalluar për traditat e saj, të cilat ja kanë kaluar brezave më të rinj dhe gjithmonë ka qenë krenare, për historinë dhe trashëgiminë. E tillë ishte edhe familja ku u lind Ymer Distafa, një familje patriotike, që e edukoi birin e saj me dashurinë për atdheun dhe njëkohësisht me dashurinë për arsimin dhe dijen”.

“Këto dashuri të mëkuara që në lindje, bënë që Ymer Distafa të jepte një kontribut të shkëlqyer në fushën e arsimit në fshatin e tij Shëngjergj, pas mbarimit të studimeve. Dhe po kështu, bënë që, me fillimin e luftës për çlirimin e vendit, Ymer Distafa të merrte pjesë aktive në të, duke e kthyer shtëpinë e tij në një nga bazat e rëndësishme të Luftës dhe në një nga spitalet partizane të zonës”, tha Meta.

“Me mbarimin e luftës, Ymer Distafa i rikthehet profesionit dhe pasionit të tij: mësimdhënies. Edhe pse për disa vite, iu ngarkuan detyra të rëndësishme drejtuese në fushën e arsimit, ai kërkoi të kthehej të jepte mësim në zonën që e donte aq shumë, në Shëngjergj. Kontributi i tij  prej 40 vitesh, për edukimin e brezave të rinj në Shëngjergj ka qenë shumë i vyer dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme”, theksoi Meta.

“Në vitet e para pas Çlirimit, ai, punoi me përkushtim për zhdukjen e analfabetizmit dhe konsolidimin e arsimit shqiptar dhe më vonë, me përkushtim e energji, formonte nxënësit e tij dhe përçonte diturinë, duke e ngritur arsimin e kësaj zone në nivele të larta. Edhe pas daljes në pension, deri në ndarjen nga jeta, nuk e ndërpreu asnjë moment aktivitetin e tij shoqëror. Ymer Distafa iu dedikua edukimit të brezit të ri, me njohjen e historisë së vendit dhe popullit tonë dhe sidomos, për njohjen e ngjarjeve të luftës antifashiste”, tha Meta.

“Ai kujtohet me respekt e mirënjohje në gjithë zonën e Shëngjergjit, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm e të vyer në fushën e arsimit dhe jo vetëm”, u shpreh Presidenti Meta. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBazë të dhënash për pasuritë kulturore të vjedhura
Artikulli tjetërSonda kineze pezullon aktivitetet në Mars