TIRANË 29 shtator /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj ka vlerësuar sot rishikimin e vendimit për zhvillimin e Komisioneve Parlamentare online nga Konferenca e Kryetarëve ditën e hënë, propozuar nga Partia Socialiste.
Në një prononcim për mediet, Rushaj tha se i vjen mirë që pati një kthesë në ligjshmëri dhe reflektim për të zbatuar ligjin dhe rregulloren nga drejtuesit e Partisë Socialiste.
“Në fakt nuk e konsideroj si betejë të fituar. Ata kanë rënë dakord që të zbatojnë ligjin. Është kaq e thjeshtë dhe nuk do të doja që të drejtën që qytetarët shqiptarë kanë në bazë të rregullores dhe Kushtetutës për transparencë, për të dëgjuar përfaqësuesit e tyre politikë në Kuvend teksa diskutojnë për projektligje, për nismat që do të prekin jetën e tyre, të quhet si fitore. Përkundrazi, është diçka që drejtuesit e PS duhet ta bënin që në fillim dhe të mos futeshin fare këtij debati. Ju kujtoj që dy ditët e fundit, dje dhe sot, ka pasur zhvillime të paligjshme, tërësisht në kundërshtim me rregulloren dhe Kushtetutën, të disa komisioneve parlamentare, të cilat përveçse frikës për debat, përveçse përpjekjes për t’iu shmangur debatit, përpjekjes që zëri i opozitës të mos dëgjohet, unë nuk shoh qe te ketë asnjë qëllim tjetër përveçse kësaj”, tha ai.
Në lidhje me pyetjen se a janë vaksinuar deputetët e PD-së dhe sa është numri Rushaj tha se, “asnjëherë nuk kemi qenë kundër vaksinimit. Dua t’ju kujtoj që ka qenë një propozim i zv/kryetarit të Kuvendit Enkelejd Alibeaj në Konferencën e Kryetarëve. Mund t’i shihni të zbardhura procesverbalet. Ka qenë ai që ka propozuar që në respekt të çdo protokolli sigurie për jetën dhe shëndetin të mund të zhvillohen këto mbledhje, dhe kjo përfshinte edhe vaksinimin edhe testin. Por, për fat të keq kemi gjetur një refuzim të PS-së dhe anëtarëve të PS-së në Konferencën e Kryetarëve që të zbatojnë rregulloren qoftë edhe në përputhje me standardet që janë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin”.
/r.e/












