TIRANË 28 shtator /ATSH-I.Vata/ Nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj i shprehu ngushëllimet familjes së nënkomisarit të policisë, Saimir Hoxha, të vrarë sot në detyrë, teksa kontrollonte për kanabis në zonën e mbrojtur të Kune-Vainit.
“Fatkeqësisht kjo është një tragjedi e paralajmëruar, sepse prej vitesh punonjësit e policisë që shërbejnë me ndershmëri në mbrojtje të rendit dhe sigurisë janë braktisur nga shteti i gjunjëzuar përpara krimit, i cili është në revansh për shkak të modelit të bashkëpunimit me krimin të frymëzuar nga ky regjim i korruptuar”, tha Alibeaj.
Sipas tij, prej vitesh, Shqipëria e sunduar nga Edi Rama është kthyer në vendin kryesor të prodhimit të kanabisit në Europë.
“Që krimi të mos guxojë, që rendi dhe siguria të kthehet në normalitet, zgjidhja që kemi përpara është vetëm një, ndarja përfundimtare e politikës nga krimi dhe ndëshkimi i modelit të ndërtuar nga Edi Rama, i cili ka shkaktuar dhe shkakton vetëm dhimbje dhe pasiguri në familjet shqiptare”, tha Alibeaj.
/j.p/r.e/























