TIRANË 20 shtator /ATSH-I.Vata/ Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit prezantoi në bashkinë Maliq botimin “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”, ku zbardhen materialet e Sigurimit mbi grupin e dënuar dhe stigmatizuar si “sabotator”, në vitin 1946.
Bashkia Maliq hapi dyert e saj për të hedhur dritë në të vërtetën e inxhinierëve të Maliqit dhe grupimit të dënuar me ta, shqiptarë e të huaj, duke bërë një hap përpara në ridimensionimin e figurës së tyre.
Ekspozita “E shkuara e pakryer”, me profile të të zhdukurve në komunizëm, u prezantua edhe për qytetarët e Maliqit, në mjediset e jashtme të Bashkisë. Po ashtu, dëshmitë e mbledhura nga AIDSSH të familjarëve të të pagjeturve.
Botimi “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”, i punuar nga historianë dhe me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, bëhet i njohur për shoqërinë dhe të rinjtë, me materialet arkivore të shfrytëzuara mbi historinë e shtrembëruar në vite nga politika dhe propaganda.
Kryetari i bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu dhe kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula hapën takimin, që është i pari i Dialogut të Maliqit. Në muajt e ardhshëm, një pllakatë që përkujton jetët në tharjen e kënetës së Maliqit, do të vendoset nga bashkia në zonë, në bashkëpunim me institucionet dhe familjet.
Prof. asoc. dr. Sonila Boçi e Institutit të Historisë në Qendrën e Studimeve Albanologjike mbajti fjalën e saj mbi studimin “Dënimi i inxhinierëve të kënetës së Maliqit, pjesë e justifikimeve për dështimet e regjimit komunist” mbi dosjet e Sigurimit mbi inxhinierët e Maliqit.
Në vijim, Liliana Çoçoli e AIDSSH bëri një paraqitje të materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit mbi inxhinierët e dënuar. Çoçoli është mbesa e inxhinierit të mirënjohur, Kujtim Beqiri, ende pa varr.
Nga ana e tij, Simon Mirakaj, anëtar i AIDSSH foli mbi dëshmi të të dënuarve në Maliq, të cilët i kanë publikuar kujtimet e “kampit të vdekjes”, siç u mbiquajt kampi i Orman Pojanit në Vloçisht.
Të rinj të Maliqit interpretuan pjesë të poemës “Kanali” të Arshi Pipës, i dënuar në kampin burg të Vloçishtit, me intelektualë të tjerë, mes të cilëve, Mitrush Kuteli, Jusuf Vrioni, Sami Repishti, Halit Selfo, Vexhi Buharaja, Pashko Gjeçi, Sulejman Vuçitërna, Hafiz Ali Kraja, Atë Josif Papamihali, sot martir, etj.
Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e familjarëve të të pagjeturve të komunizmit në zonën e Korçës dhe Maliqit; përfaqësues të komuniteteve fetare të zonës, shoqatave të të përndjekurve dhe kujtesës, përfaqësues të grupeve të interesit, Dhorina Theodhori, Prokurore e Korçës, Ardian Çipa, Drejtor i Policisë Rajonale Korçë, Luigj Ndou, Përfaqësues i ICMP për Shqipërinë, përfaqësuesve të BE, aktorëve të shoqërisë civile, gazetarëve dhe të rinjve.
Diskutime të të pranishmëve mbi librin, udhërrëfyesin për familjarët e të zhdukurve dhe hapat e pritshëm konkretë u zhvilluan në mbyllje të takimit, ku u shpërndanë botime të AIDSSH “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”, kopje të udhërrëfyesit dhe u plotësuan formularë ku raportohen të pagjeturit e regjimit komunist.
Takimi u zhvillua në kuadër të projektit të ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese: adresimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste”, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Ambasada zvicerane.
/j.p/r.e/





















