Ballina Bota

FOKUS – Pasiguritë e para mbi koalicionet postzgjedhore gjermane

BERLIN, 17 shtator /ATSH-DPA/ – Me konservatorët që ende janë në ndjekje të socialdemokratëve të qendrës së majtë (SPD), në sondazhet gjermane vetëm 10 ditë para zgjedhjeve, partitë e majta po ndiejnë mundësinë e ndarjes së pushtetit në një koalicion qeverisës pas 26 shtatorit.

Ka të ngjarë që një koalicion tripalësh të jetë lloji i vetëm i aftë për të fituar shumicën në Bundestag, gjë që mund të nënkuptojë që negociatat pas votimit do të zgjasin më shumë.

Kryeministri i landit Thuringia, Bodo Ramelow i partisë ”Die Linke”, i së majtës ekstreme, është ofruar të premten si negociator nëse SPD zgjedh të eksplorojë një koalicion trepalësh me partinë e tij dhe të Gjelbrit.

Në Thuringia, Ramelow drejton një qeveri rajonale të të njëjtave parti brenda sistemit federal gjerman.

Sidoqoftë, Katrin Goering-Eckardt, një deputete kryesore e Gjelbër në parlamentin e Berlinit, ishte skeptike, ku sipas saj ”politika e jashtme dhe evropiane e ‘Die Linke’, përfshirë thirrjet për shpërbërjen e NATO-s, i kishte përjashtuar ata”.

Kancelari kandidat i SPD-së, Olaf Scholz dhe kandidatja e Gjelbër, Annalena Baerbock u shfaqën skeptike për lidhjen mes partive të tyre dhe ”Die Linke”.

Scholz aktualisht është rreth katër pikë përpara në sondazhe me 25-26%, përpara kandidatit të qendrës së djathtë Armin Laschet.

Të Gjelbrit, pasi u rritën në fillim të garës, dolën në vendin e tretë, me mbështetjen e tyre në rreth 15-17 për qind.

Pasiguria mbi ndërtimin e koalicionit, e shoqëruar me një fushatë zgjedhore të zbehtë, shihet si një nga faktorët që qëndrojnë pas pakënaqësisë mes votuesve gjermanë.

Në një sondazh të organizatës YouGov, vetëm 4% e atyre e përshkruan fushatën aktuale elektorale si “jashtëzakonisht emocionuese”, ndërsa 16% e vlerësuan konkurrencën mes palëve si “mjaft emocionuese”.

43% e të anketuarve thanë se e konsideruan fushatën të mërzitshme, ndërsa 19% e quajtën “jashtëzakonisht të mërzitshme”.

Kur u pyetën se cila nga nëntë fushat e politikave, nga mbrojtja e klimës te digjitalizimi kishte pasur përparim nën qeverinë aktuale të kancelares Angela Merkel, 46 për qind e të anketuarve thanë se nuk ka pasur përparim në asnjë nga këto fusha./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNaftë falas për bujqësinë edhe në 4 vitet e ardhshme
Artikulli tjetërNdalohen deri më 20 shtator grumbullimet në vende të hapura e të mbyllura