Ballina Aktualitet

Megaoperacioni “Dobra”/ Veliu: Hetim pasurive të paligjshme

TIRANË 1 shtator /ATSH-I.Vata/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u shpreh sot nga Madridi, ku u prezantuan rezultatet e megaoperacionit të përbashkët të koduar “Dobra” se finalizimi erdhi pas gati 1 vit pune investiguese dhe hetimore.

“Edhe policia shqiptare si pjesë përbërëse dhe kontribuuese në finalizimin e këtij operacioni, ka qenë e përfshirë që në momentet e para duke kontribuuar me shkëmbimin e informacionit për të gjithë shtetasit shqiptarë të përfshirë dhe të identifikuar duke u mundësuar kolegëve spanjollë, thellimin e mëtejshëm të hetimeve, ashtu edhe në veprime konkrete ditët e vazhdimit dhe të finalizimit të operacionit me oficerë të policisë nga Shqipëria. Kjo vërteton edhe një herë se Policia Shqiptare është e pjekur jo vetëm profesionalisht por dhe një partner i besueshëm për të gjitha agjencitë ligjzbatuese duke bërë të mundur goditjen e krimit të organizuar në të gjitha vendet dhe aty ku ka shtetas shqiptarë”, tha ai.

Po ashtu, Veliu shtoi se “ne nuk do të mjaftohemi vetëm me ndalimin e operacionit në këtë stad, por do të vazhdojmë në vendin tonë duke investiguar të gjitha pronat të cilat mund të kenë ardhur nga ky aktivitet kriminal për të gjithë shtetasit e përfshirë”.

“Sepse duke goditur edhe në pjesën ekonomike i japim një goditje të fortë grupit kriminal duke e paralizuar”, theksoi ai.

Në fund, Veliu tha se “pavarësisht se ky është operacioni i parë i përbashkët me policinë spanjolle që ne zhvillojmë, shpresoj që të vazhdojmë edhe në të ardhmen në vijimin e operacioneve të përbashkëta”, tha ai.

Në kuadër të megaoperacionit “Dobra” u godit një grup kriminal në fushën e krimit të organizuar dhe u arrestuan 107 persona të dyshuar të përfshirë në krimin e organizuar në fushën e drogës.

Gjatë këtij megaoperacioni, u kryen kontrolle në 51 ambiente, nga të cilat 23 plantacione/shtëpi bari, u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh, 68.760 euro etj. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRifillojnë shembjet në bregdet, Çuçi: Dy objektet e para në Dhërmi
Artikulli tjetërLegjislatura e X e Kuvendit, Meta dekreton seancën e parë në 10 shtator