TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Stoku i rezervës valutore vlerësohet i mjaftueshëm për mbulimin e 9.6 muajve import mallrash dhe shërbimesh, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e publikuar së fundi mbi “zhvillimet në sektorin e jashtëm”.
Sipas BSH-së, vlera e rezervës valutore llogaritet për mbulimin e 330 % të borxhit të jashtëm afatshkurtër bruto.
Rezerva valutore arriti vlerën 3.9 miliardë euro në fund të muajit qershor 2021, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
“Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj, apo për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit, çmimeve dhe stabilitetit financiar”, thekson BSH-ja.
Në pjesën dërrmuese, rezerva valutore mbahet në obligacione dhe në depozita, ndërsa një pakicë konsiston në rezerva ari dhe të drejta tërheqjeje (SDR) në Fondin Monetar Ndërkombëtar. /j.p/r.e/























