TIRANË, 16 gusht/ATSH-A.Fortuzi/- “Kukësi” luan sot ndeshjen e kthimit të Europa Ligës me “Torpedon”, ndaj të cilës u mund 5-2 në ndeshjen e parë. Verilindorëve do t’i duhen të paktën tre gola për të gjetur kualifikimin.
Ndeshja mes “Kukësit” dhe “Torpedos” do të luhet mbrëmjen e sotme duke nisur nga ora 19:00. Ndeshja e kthimit të turit të tretë do të luhet në “Elbasan Arena” aty ku dje skuadra zhvilloi edhe stërvitjen e fundit dhe është gati për të bërë një mrekulli.
Si titullarë rikthehen Edis Maliqi dhe Albi Alla ndërsa në portë pritet të luajë Maloku. Trajneri Armando Cungu ka deklaruar se beson tek mrekullia dhe tek përmbysja e rezultatit.
Klubi u ka bërë thirrje tifozëve që të mbështesin skuadrën, ndërsa dueli do të gjykohet nga arbitra zviceranë.
Tekniku shkodran, Armando Cungu shprehet optimist për këtë sfidë. “Normalisht që kemi besim për ndeshjen. Nuk vjen rastësisht ky besim, por vjen duke pasur parasysh edhe forcën e ekipit dhe seriozitetin e djemve gjatë gjithë javës në stërvitje”, – tha Cungu në konferencën e pragsfidës.
“Futbolli ka treguar që mund të përmbyset çdo rezultat, për më tepër që ky besim na vjen po të kemi parasysh edhe ndeshjen e parë, ku përtej golave të pësuar ju jeni dëshmitarë që ‘Kukësi’ ka krijuar shumë raste shënimi, çka do të thotë se kundërshtari ka dobësitë e veta dhe mundësitë janë reale për ta goditur. Na lind e drejta legjitime që ta provojmë nesër, nuk është vonë për ta provuar dhe nuk mund të na ndali askush për ta bërë këtë gjë. Shpresojmë që pse jo të bëhet edhe nesër (sot) mrekullia dhe të japim edhe ne një sinjal tjetër besueshmërie që rezultatet edhe mund të kthehen”, – shtoi Cungu. /a.g/








