TIRANË, 8 gusht/ATSH/-Në të gjithë territorin ku ka pasur vatra zjarri, operacionet kanë vijuar sot pa ndërprerje, nga toka dhe ajri.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën të ditur se pavarësisht punës së pandërprerë të forcave të shtuara operacionale, disa vatra zjarri mbeten ende aktive në territorin e vendit.
Aktualisht është aktive vatra e zjarrit në Dukat të Ri. Pika kritike u izolua gjatë natës nga forcat operacionale, duke eliminuar rrezikun e kalimit të zjarrit në fshat, por përpjekjet për shuarjen e flakëve vazhdojnë nga toka dhe nga ajri.
Edhe pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë vazhdojnë të përqendruara të gjitha forcat, për të bërë të mundur normalizimin dhe izolimin e flakëve. Të gjitha Strukturat e Mbrojtjes Civile, FA-së dhe zjarrëfikset janë në ndjekje të dinamikës, e cila ka ndryshuar edhe për shkak të kushteve atmosferike.
Në fshatin Thirrë, në qarkun e Lezhës, vijon puna për vënien nën kontroll nga ana e FA, punonjësve të shërbimeve vendore, por edhe me ndërhyrje nga ajri.
Vatra më e nxehtë është ajo në Majën e Rrunës, në Kukës pikërisht në pjesën sipër tunelit të Kalimashit, e cila është vënë nën kontroll, sidomos vatra në zonën e quajtur Laku i Thive. Puna vijon edhe në pjesën që ndodhet në fshatin Munellë-Domgjon, në Mirditë, ku ka ende situatë aktive.
Janë raportuar edhe disa vatra të reja, si në Patalej në Lezhë, në Gjallicë në Kukës, Gjorgos, Fier, Cakran (e riaktivizuar pas 10 ditësh).
Nën monitorim janë zjarret e rëna në fshatin Vermosh në Malësi të Madhe dhe në pyllin Shetaj afër Kepit të Rodonit në Durrës. Këto vatra nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
“Mirënjohje dhe falenderime tepër të veçanta për të gjitha strukturat e MC forcat e FA, zjarrëfikseve, ekipeve nga Çekia dhe Hollanda të cilat mbështesin nga ajri, që po punojnë pa ndërprerje nën koordinimin e AKMC, për t’i dhënë fund kësaj situate”, theksohet në njoftimin e publikuar nga AKMC.























