Ballina Flash

Situata e zjarreve në Qarkun Shkodër gjatë 24 orëve të fundit

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni bëri të ditur sot situatën e zjarreve në këtë qark gjatë 24 orëve të fundit.

“Në bashkinë Shkodër, janë angazhuar 4 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektiva zjarrfikëse bashkë me forcat e policisë për shuarjen e një vatre zjarri shumë të vështirë dhe të rrezikshme për banesat dhe komunitetin në lagjen Tepe të qytetit Shkodër (kodrat e qytetit)”, tha Angoni.

Ndërsa në bashkinë Malësi e Madhe, theksoi ajo, ka patur 3 vatra zjarri në shkurre dhe ferra në njësitë administrative Gruemirë, Kastrat dhe tek Syri i Sheganit, si dhe një rast zjarri në një banesë, ku u bë i mundur shpëtimi i një pjese të banesës dhe të familjarëve.

Të gjitha operacionet janë mirëmenaxhuar nga strukturat e MZSH.

Prefektja tha se, në bashkinë Vau Dejës është riaktivizuar në orët e mbrëmjes vatra e zjarrit në Cukal, të cilën e kanë menaxhuar 3 zjarrfikës të MZSH-së, 2 vrojtues pyjesh dhe 1 person nga policia bashkiake.

“Vijon puna për shuarjen e kësaj vatre nga strukturat e MZSH, sektorit pyjor dhe komuniteti i zonës”, tha Angoni.

Në bashkinë Fushë-Arrëz, ka patur një vatër zjarri shumë të vështirë në fshatin Fushë-Arrëz, që është përhapur pasditen e së martës dhe vijon të jetë aktive.

Vijon operacioni për shuarjen e kësaj vatre nga rreth 10 forca policie nga komisariati i Pukës dhe posta e policisë Fushë-Arrëz.

Ndërkohë që struktura të bashkisë Fushë-Arrëz, 30 vullnetarë të administratës dhe sektorit pyjor, 18 forca nga strukturat e MZSH dhe 5 mjete të saj MZSH, bashkë me 30 forca të ushtrisë së Repartit Ushtarak Vau i Dejës, që u janë bashkuar sot, kanë shkuar për shuarjen e zjarrit në këtë zonë.

Ajo theksoi se, gjatë gjithë ditës së djeshme u krijua mbështetje me mjetin ajror të ardhur nga MM, që ka punuar rreth 2 orë për shuarjen e zjarrit në këtë vatër.

“Të gjitha strukturat qendrore dhe lokale, jemi angazhuar në monitorimin e kësaj situate në qarkun Shkodër dhe po operojmë në terren në kohë sa më shpejtë për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve”, theksoi Angoni.

Teksa bëri apel se, nëse konstatohen individë të papërgjegjshëm që rrezikojnë me veprimet e tyre jetën, pronën e pasurinë e banorëve me zjarrvënie të qëllimshme, do të njoftohen menjëherë organet kompetente dhe do të merren masat përkatëse.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu inspekton spitalin e Sarandës: Brenda shtatorit përfundon pediatria dhe laboratori i ri
Artikulli tjetërMinistria e Mbrojtjes: Aktualisht në të gjithë vendin janë 6 vatra aktive