TOKIO, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Organizatorët e Lojërave Olimpike të Tokios kanë kërkuar falje pasi medalistet ukrainase të notit artistik u identifikuan gabimisht si ruse nga spikeri i garës.
Çifti ukrainas Marta Fiedina dhe Anastasiya Savchuk fituan medaljen e bronztë, pas çifteve nga Komiteti Olimpik Rus (ROC) dhe Kina.
Sidoqoftë, Fiedina dhe Savchuk u emërtuan si konkurrente të Rusisë nga një spiker në gjuhën frënge duke shkaktuar telashe për organizatorët e Tokio 2020.
Ishte një gabim veçanërisht i pafat duke pasur parasysh konfliktin ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës.
Zëdhënësi i komitetit organizator të Tokio 2020, Masa Takaya tha se “do të doja t’i kërkoja falje ekipit të Ukrainës”.
“Gjatë ceremonisë së fitores dje për duetin artistik të notit, u njoftua gabimisht një emër i një vendi dhe rajoni tjetër për ekipin e Ukrainës, që mori medaljen e bronztë. Ishte thjesht një gabim operacional, kështu që ne do të donim të kërkojmë falje për këtë”, theksoi ai.
I pyetur për më shumë detaje, Takaya tha se “ne operojmë në frëngjisht, anglisht dhe japonisht. Spikeri i frëngjishtes duhej të kishte thënë ekipi i Ukrainës, por tha ROC në vend të kësaj”.
“Sigurisht, të pranishmit e vunë re këtë dhe personi përgjegjës për njoftimin kërkoi falje, kështu që ky ishte një gabim thjesht operacional”, shtoi ai./ a.jor.























