Ballina Flash

Rikualifikimi urban në lagjet e Pogradecit

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Në Pogradec po vijojnë investimet për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme rrugore dhe plotësimin e tyre me elementë urbanë.

Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhankolli u shpreh sot se “kanë nisur punimet në lagjen 4, rruga “Gani Homçani”, për rikualifikimin e plotë urban të të gjithë bllokut me fokus përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve”.

Sipas tij, punimet do të kryhen për rehabilitimin e rrugëve kryesore të brendshme, trotuareve, si dhe sheshet midis pallateve.

Gjithashtu do të punohet edhe për suvatimin dhe lyerjen e pallateve, rikonstruksionin e çative të banesave kolektive, gjelbërimin e hapësirave publike, si dhe ndriçimin e ri me  llampa LED.

“Punimet për këtë projekt do të zgjasin 18 muaj”, tha Xhankolli, teksa shpjegoi se “projekt më vete është investimi në rrugën “Abdyl Frashëri”, e njohur ndryshe si Lagjja e Kafetores”.

Xhankolli, u shpreh optimist që tashmë ka nisur zbatimi i një tjetër zotimi të kësaj bashkie dhe, siç tha ai, “plotësisht i merituar për banorët e lagjeve, pas përfundimit të projektit në lagjen “Gurore” dhe Rruga e “Mokrës””.

Investimet për rikualifikimin urban të lagjeve të Pogradecit, është një vlerë e shtuar në aspektin ekonomik dhe turistik të këtij qyteti, që njihet për bukuritë e veçanta natyrore, kulturore e historike që bart dhe mbetet një nga qytetet më të frekuentuar nga vizitorët e turistët e huaj në çdo stinë të vitit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak3 helikopterë në Vlorë për shuarjen e zjarreve, Peleshi: Presim ndihmë nga Holanda
Artikulli tjetërMbi 120 mijë pacientë u trajtuan në spitalet publike