Ballina Flash

Biden: Kombi i Kosovës është zemra e të gjithë familjes Biden

PRISHTINË, 30 korrik/ATSH/ Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë se familja e tij ndihet e nderuar pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nderoi me medalje djalin e tij të ndjerë Beau Biden, i cili kishte shërbyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.

Biden i ka thënë presidentes Osmani, përmes një videomesazhi se puna e Beau Biden në Kosovë ka qenë e përzemërt.

“Faleminderit, presidentja Osmani! Unë jam këtu në sallën kryesore të Shtëpisë së Bardhë dhe me fëmijët e Beau-t. Nipërit e mbesat e mia Natalie dhe Hunter janë pikërisht atje, dhe ne vetëm duam të themi se kjo është e pabesueshme dhe dua të falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh për neve që ju kujtoni djalin tonë Beau. Puna e Beau-t në Kosovë ishte e çiltër, ai u dashurua me vendin tuaj, dhe unë kam fëmijët e tij me mua, nipërit e mbesat, Natalie dhe vëllai i tij Hunter, gjithashtu edhe motra e tij dhe e gjithë familja. Kjo do të thotë kaq shumë për ne, për të gjithë familjen. Pesë vjet më parë, unë solla Natalie dhe Hunter, gruan time Jill, dhe gjithë familja Biden në Kosovë për një ceremoni, ku u emërua një autostradë me emrin e Beau Biden para Kampit Bondsteel. Ishte shumë emocionuese për ne. Vetëm një vit pasi humbëm Beau-n, djalin tonë, pamë teksa nderohej kujtimi për të siç bënë të dy partitë politike, duke shkuar te Kampi Bondsteel, dhe mënyra se si ata folën për Beau-n. Duke e ditur se sa njerëz ka prekur, ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës, të cilët Beau i deshi aq shumë, kështu që ai besoi aq thellë në pavarësinë dhe demokracinë tuaj”, ka thënë Biden.

Për më tepër, presidenti amerikan ka folur edhe për kontributin e Beau Biden për popullin e Kosovës pas luftës.

“Si avokat në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, ai doli vullnetar për të shkuar në Kosovë, në Republikën e Kosovës për të mbështetur Pavarësinë tuaj dhe demokracinë tuaj të re, dhe mbi të gjitha sundimin e ligjit. Në atë kohë, Kosova ende mbante plagët e freskëta të luftës. Në një sistem drejtësie të zbrazur nga dekada të sundimit totalitar, Beau mund të shihte atë që ju mund të bënit, Beau mund të shihte edhe atëherë të ardhmen që ishte e mundshme për vendin tuaj krenar. E ardhmja që Kosovës i ishte mohuar prej kohësh. Kjo është arsyeja pse ai ishte aq i përkushtuar që të punonte me popullin e Kosovës për t’u siguruar që krimet e luftës të hetoheshin dhe të ndiqeshin profesionalisht, për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin e një sistemi të drejtë gjyqësor e të aftë për të sjellë drejtësi dhe pajtim të vendit pas gjithë kohës që Sllobodan Millosheviq brutalizoi vendin tuaj. Beau ndihmoi në krijimin e programeve të trajnimit për gjyqtarët dhe prokurorët vendas. Kjo do të vendoste bazën për institutin gjyqësor të Kosovës, që tani është Akademia e Drejtësisë. Beau do të ishte i pari që do t’ju tregonte, pasi na tha se ai ishte vetëm një nga shumë njerëz të përkushtuar, të përkushtuar në detyrë, përfshirë shumë qytetarë krenarë të Kosovës”, tha Biden.

/KosovaPress/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPANJË – Ekonomia kalon pritshmëritë e rritjes
Artikulli tjetërDeklaratat e ambasadores Kim, reagon ish-kryeministri Berisha