TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka hartuar dhe ka nxjerrë për konsultim publik projektrregulloren “Për përcaktimin e rregullave dhe metodologjisë së llogaritjes së dëmshpërblimit që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Sipas njoftimit të AMF-së, publikuar në faqen e saj zyrtare, “rregullorja e re ka si objektiv përcaktimin e rregullave, procedurave dhe metodologjisë së trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim”.
Në rregullore janë reflektuar gjithashtu disa nga ndryshimet kryesore të Ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që kanë të bëjnë me rritjen e limiteve të përgjegjësisë për pagesën e dëmeve, si edhe mundësinë e të siguruarit për t’iu drejtuar direkt shoqërisë së tij të sigurimit, në rastet kur pëson aksident nga një mjet i pasiguruar, ose i paidentifikuar.
Në bazë të Ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, rregullorja përcakton mënyrën e përllogaritjes së dëmshpërblimit. Kështu, në rastin e dëmeve me pasojë humbje jete, dëmi pasuror përllogaritet si produkt i të ardhurave vjetore neto me koeficientin e shumës së kapitalizuar dhe moshës së daljes në pension, ndërsa në rastin e paaftësisë së përhershme përllogaritjes i shtohet dhe koeficienti i humbjes së aftësisë për punë.





















