TIRANË 14 korrik /ATSH-I.Vata/ Partia Demokratike ka mbledhur sot Komisionin e Përhershëm Statutor për të diskutuar për propozimet mbi disa ndryshime statutore në Partinë Demokratike.
Pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit, anëtari i kryesisë së PD, Eno Bozdo, theksoi se Komisioni i Përhershëm Statutor miratoi vetëm propozimet e Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
“Komisioni me shumicë votash, mendoi t’i përcillte kryesisë së PD-së nesër vetëm draftin e kryetarit të PD-së Basha, por qëndrimi im ka qenë që të gjitha propozimet, jo procedurale po politike, që kanë të bëjnë me rikonceptimin e rolit të organeve të veçanta të partisë, apo diskutimi për çështje të nxehta që kanë qenë brenda fushatës për zgjedhjen e kryetarit të partisë, apo pastaj për çështje siç është platforma e Kadillit, e cila rikoncepton PD për ta rivitalizuar, mendoj se duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes së Kryesisë së PD-së”, tha Bozdo.
“Nuk mendoj se Komisioni duhet të merrte një vendim të tillë për sa kohë çështjet janë politike dhe vendimmarrja konsiderohet politike. Madje për të shkuar më tej, edhe kryesisë e PD nuk merr vendim vendimtar, sepse është Kuvendi i PD-së i cili i gjykon këto platforma dhe pastaj vendos që partia mund të ec në një drejtim apo në drejtimin tjetër”, tha ai për gazetarët.
/r.e/






















