MILANO, 2 korrik /ATSH-ANSA/ – Shkencëtarët milanezë kanë zhvilluar një teknikë të re joinvazive hetimi që përdor impulse të shkurtra lazer për të studiuar efektet e dëmtimit të shikimit në tru.
Teknika u testua me sukses në 98 persona me dhe pa glaukomë dhe hap rrugë të reja në studimin e kësaj sëmundjeje ende pjesërisht të panjohur, ndërsa në të ardhmen mund të përdoret drejtpërdrejt në klinikë për të vlerësuar kushtet e pacientëve.
“Për herë të parë, me këtë teknikë, u vu re se te pacientët me glaukomë përgjigjet cerebrale gjatë shikimit duken më të moderuara, sesa në grupin e kontrollit, duke konfirmuar një përfshirje të korteksit pamor cerebral jo vetëm nga pikëpamja anatomike, si strukturë e trurit, por edhe nga pikëpamja funksionale, domethënë në mënyrën se si truri u përgjigjet stimujve pamorë”, tha Rebecca Re nga Spitali Politeknik i Milanos.
Reagimi i ndryshëm i trurit është theksuar falë teknikës së re TD-fNIRS, një lloj spektroskopie që përmes impulseve të shkurtra lazer lejon të përcaktohet sasia e hemoglobinës me ose pa oksigjen të pranishëm në zona të ndryshme të trurit./ /ervo/






















