Ballina Lajme nga Vendi

Investimet që transformuan Fierin

Investimet që transformuan Fierin

Investimet që transformuan Fierinhttp://ata.gov.al/2018/08/09/investimet-qe-transformuan-fierin/Vetëm nga viti 2015-2017, në territorin e Bashkisë së Fierit janë investuar rreth 1.5 miliardë lekë, një shifër kjo e pakrahasueshme me dekada të tëra në Fier, të cilat kanë ndryshuar tërësisht pamjen e qytetit, cilësinë e jetës dhe vlerën e objekteve të shumta urbane.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E enjte, 9 Gusht 2018

TIRANË, 9 gusht/ATSH-Maela Marini/.- Investimet infrastrukturore përgjatë dy viteve të fundit, përkthehen në transformime të mëdha urbane me impakt afatgjatë për Bashkinë e Fierit.

I kthyer në një kantier të madh ndërtimi, Fieri sot ka pësuar ndryshime të pakrahasueshme.

Vetëm nga viti 2015-2017, në territorin e Bashkisë së Fierit janë investuar rreth 1.5 miliardë lekë, një shifër kjo e pakrahasueshme me dekada të tëra në Fier, të cilat kanë ndryshuar tërësisht pamjen e qytetit, cilësinë e jetës dhe vlerën e objekteve të shumta urbane.

Fal mbështetjes së qeverisë shqiptare, si dhe vizionit të qeverisjes vendore Bashkia e Fierit ka punuar mbi bazën e një strategjie të qartë të zhvillimit të territorit, duke u bërë lider në fushën e planifikimit urban afatgjatë dhe ndryshimeve infrastrukturore.

Në kuadër të zbatimit të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, qyteti i Fierit  ka pësuar transformim të rrënjësishme me investimet në infrastrukturën rrugore, shtimin e hapësirave të gjelbërta, lyerjen e fasadave të pallateve, si dhe përmirësimin e shërbimeve të tjera publike , që ndikojnë pozitivisht për një rritje cilësore të jetës në qytet.

Parku Qendror i Fierit

Një prej projekteve të zbatuara nga Bashkia Fier me mbështetjen e qeverisë është edhe ndërtimi i parkut qendror të Fierit.

E cilësuar si ‘mushkëria e qytetit, parku është shndërruar në një hapësirë rekreative duke krijuar një pol të ri zhvillimi për Fierin.

Parku Qendror i Fierit zë një sipërfaqe prej 17 000 m2 dhe për ndërtimin e tij u investuan 298 786 258 lekë, të cilat u përdorën për rikonstruksionin e fasadave, rehabilitimin e zonës me rrugica lidhëse, lulishte dhe sipërfaqe të gjelbër.

Pjesë e këtij investimi është edhe Galeria e Arteve, sot një godinë moderne arti, e ngritur mbi rrënojat e ish fabrikës së miellit. Parku do të shërbejë si një hapësirë publike për çlodhjen dhe argëtimin e qytetarëve midis natyrës dhe artit.

Rehabilitimi i lumit Gjanica

Rehabilitimi i lumit Gjanica që për çerekshekulli ishte kthyer në burim plehrash e përmbytjesh për qytetin e Fierit mbetet projekti më madhor i zbatuar në këtë qytet.

Ndërtimet përgjatë skarpateve të lumit tashmë janë shembur për t’i lënë rrugën zbatimit të projektit që do të ndryshojë dimensionin urbanistik të qytetit.

Projekti për rehabilitimin e Gjanicës synon valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit dhe ndërtimit të ndërtesave publike për qëllime sportive-kulturore e të shërbimit dhe rehabilitimin selektiv sipas nevojave, të rrjetit infrastrukturor.

Projekti parashikon sistemimin e ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimin mjedisor të lumit dhe krijimin e një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit. Po ashtu, sigurohen rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastrukturor.

Ky projekt parashikon gjithashtu rinovimin e fasadave dhe restaurimin e ndërtesave të përfshira në ansamblin e qendrës së qytetit, ndërtimin e rrugëve për këmbësorët, krijimin e rrugëve të shkurtra të ecjeve në natyrë dhe fasilitete të tjera për këmbësorët.

Lumi Gjanica, dikur një mrekulli natyrore, për shumë vite u keqpërdor nga bizneset, të cilat e shndërruan atë në një vendgrumbullim plehrash dhe hidrokarburesh.  Gjanica buron nga Mallakastra dhe përshkon qytetin e Fierit. Ai është degë e Semanit dhe buron nga pjesa jugore e malit të Shpiragut, përshkruan gjithë trevën e Mallakastrës, kalon mes përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në Seman, në afërsi të Mbrostarit. Gjanica ka një gjatësi prej 42 km . /a.g/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTekste shkollore falas, kategoritë që do t’i marrin
Artikulli tjetërMSH, këshilla për mbrojtjen e foshnjave dhe fëmijëve ndaj temperaturave të larta