Ballina Flash

Teuta shpallet kampione e Shqipërisë për edicionin 2020-2021

TIRANË, 26 maj /ATSH – I. Vata/ Teuta është shpallur kampione e Kategorisë Superiore për edicionin 2020-2021 në javën e fundit të kampionatit.

Skuadra durrsake fitoi bindshëm ndaj Apolonisë 6-1 sot në “Niko Dovana”, duke e mbyllur sezonin në vendin e parë me 66 pikë të grumbulluara pas 36 javësh të luajtura.

Golat për durrsakët u shënuan nga Bregu (i cili shënoi tregolësh në minutat 16’, 50’, 65’), L. Vila (27’), Arapi (77’) dhe Plaku (90’+1’), kurse goli i vetëm për fierakët u realizua nga Mihana (34’).

Edhe Vllaznia fitoi 2-0 ndaj Laçit në stadiumin “Loro Boriçi”, por nuk i mjaftoi për të siguruar kreun, ndërkohë që Partizani, një tjetër skuadër që ishte në lojë për titullin fitoi 2-4 në transfertën e Ballshit ndaj Bylisit.

Pas përfundimit të ndeshjes në Durrës është zhvilluar edhe ceremonia e shpalljes së Teutës kampione e Shqipërisë.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, të cilët i dorëzuan medaljet dhe trofeun e kampiones skuadrës durrsake, që nisi festën për këtë arritje historike për klubin.

Ky është titulli i dytë kampion në histori për Teutën, teksa të parin e ka fituar në sezonin 1993–94.

Duka: Sot meritojnë të festojnë të gjithë

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka përcolli urimet ndaj klubit të futbollit “Teuta”, për titullin kampion.
“Dua ti përcjell urimet e mia më të mira KF Teutës për titullin Kampion të Shqipërisë, në fund të një sezoni emocionues dhe plot rivalitet. Sot meritojnë të festojnë të gjithë: futbollistë, staf drejtues, tifozë durrsakë kudo ndodhen. Një urim i veçantë shkon për Presidentin Hasanbelliu, arkitektin dhe investitorin e kësaj skuadre”, tha Duka.
“Pas festës është koha për t’iu rikthyer punës, për të bërë një përfaqësim të mirë në garat europiane”, tha ai.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEkspozita me piktura në Presidencë/ Meta vlerëson artisten nga Librazhdi, Bardha Alimeta
Artikulli tjetërGJENEVË – Zvicra lehtëson më tej kufizimet antiCOVID-19