BRUKSEL, 17 maj /ATSH-AFP/ – Pakti i Gjelbër Europian, që synon neutralitetin e karbonit në kontinent deri në 2050, do të ketë të bëjë gjithashtu me “ekonominë blu”, duke zhvilluar akuakulturë dhe turbina ere në det ndërsa përpiqet të “dekarbonizojë” peshkimin dhe transportin detar, njoftoi sot BE.
“Të gjithë sektorët e lidhur me detin, peshkimi, akuakultura, turizmi bregdetar, transporti detar, portet dhe kantieret, do të duhet të zvogëlojnë gjurmën e tyre mjedisore dhe klimatike ndërsa hapin mundësi të reja ekonomike”, tha eurokomisioneri për Mjedisin, Virginijus Sinkevicius.
Ato përfaqësojnë 4,5 milionë vende pune të drejtpërdrejta në BE dhe 650 miliardë të ardhura vjetore.
“KE synon të rrisë instalimin e turbinave me erë në det, energjinë diellore detare ose teknologjitë e baticës për të arritur kapacitete kumulative prej 300 gigavat deri në 2050, kundrejt 12 sot, si edhe për të gjeneruar në det një të katërtën e energjisë së BE”, shtoi ai.
Sinkevicius theksoi se secili shtet anëtar është i ftuar t’i kushtojë një pjesë të planit europian të rimëkëmbjes “ekonomisë blu”, strategjive kombëtare që duhet të marrin dritën jeshile nga Brukseli./ /ervo/












