PRISHTINË, 3 gusht/ATSH/- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, thirri sot në takim Këshillin e Sigurisë së Kosovës për të diskutuar gjendjen e rendit, ligjit dhe sigurisë në vend.
“Kam kërkuar rritjen e gatishmërisë së institucioneve të rendit dhe ligjit në gjithë vendin”, theksoi kryeministri Haradinaj në konferencën për media pas këtij takimi.
Kreu i qeverisë u shpreh se “siguria në vend është e qetë, por është kërkuar rritja e gatishmërisë për veprim, në rast të çfarëdo prishje të rendit dhe ligjit në vend”.
Kryeministri Haradinaj shtoi se retorika për kufijtë ose për territoret që ndodh në Kosovë është kundër-reagim i një retorike që vjen nga Beogradi, gjoja për të drejtat e Serbisë në Kosovë, më konkretisht për veriun.
“Kjo retorikë nuk ka qëllimin prishjen e rendit dhe të ligjit dhe të sigurisë në Kosovë, dhe duhet të ndihen të sigurt të gjithë në Kosovë për shkak të kësaj retorike. As serbët e Kosovës, as komunitetet e tjera, por as shqiptarët, nuk duhet të ndihen të rrezikuar. Është retorikë politike, publike, kundër-retorikë e një retorike që vjen”, nënvizoi Kryeministri Haradinaj.
Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Haradinaj theksoi se “Kosova është brenda detyrimeve të veta, që nënkupton se më datë 4 gusht është afati kur dorëzohet transkripti i grupit të punës për hartimin e statutit”.
Ndërsa sa i përket personave të caktuar të dyshimtë, që është konstatuar se qarkullojnë në veri dhe të cilët mund të jenë nga Republika e Serbisë ose nga zonat e tjera, Kryeministri Haradinaj tha se, Kosova çdo herë ka mirëpritur ardhjen e të gjithë qytetarëve të lirë të botës te ne dhe janë të mirëpritur në çdo pjesë të Kosovës.
“Janë procedurat e udhëtimit e dimë si shkojnë, por nuk kemi shprehur ndonjë paragjykim. Kushdo që hyn brenda territorit të Kosovës me qëllim qoftë të shkaktimit të ndonjë incidenti, prishjes së rendit dhe të ligjit, normal që do ta marrë reagimin e institucioneve të rendit dhe të ligjit, këtu s’do të ketë dilema”, nënvizoi Haradinaj.
Në fund të konferencës për shtyp Haradinaj ripërsëriti faktin se rritja e shkallës së gatishmërisë në vend nuk është urdhër për veprim, por fakt se jemi në gjendje gatishmërie dhe në rast se ka prishje të rendit dhe të ligjit do të veprojmë./k.s//m.m/











