Ballina Lajme nga Vendi

Tabaku: PD e vendosur të anulojë çdo koncesion që është monopol

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ – “Partia Demokratike është e vendosur të anulojë çdo ligj selektiv, çdo koncesion që është monopol dhe çdo favorizim nga ata që sot qeverisin me krimin e organizuar dhe po pastrojnë paratë në ekonomi. Rishikimi i ligjit antimafia do të sigurojë që çdo qindarkë e krimit të organizuar dhe korrupsionit të kthehet në ekonomi”, u shpreh sot nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku.

Ajo deklaroi se, “katërfishimi i pikave të basteve në Shqipëri nuk është thjesht një marrëzi e Edi Ramës, por është një plan korruptiv i mirëmenduar për t’i dhënë të vëllait, Olsi Rama, miliona euro fitime nëpërmjet koncesionit të mbikëqyrjes së lojërave të fatit”.

Sipas saj, “në shkelje të çdo ligji, kontrata e koncesionit nuk është bërë asnjëherë publike dhe Ministria e Financave vazhdon të fshehë sesa do ta rëndojë buxhetin ulja e taksave për bixhozin”.

Ajo që dihet deri tani, theksoi Tabaku, “është se me ligjin e vitit 2015, Edi Rama detyron pikat e basteve të bëjnë pagesën e mirëmbajtjes së sistemit jo në shtet, por tek kompania koncesionare”.

“Kjo do të thotë se sa më shumë pika bastesh të operojnë në Shqipëri, aq më i madh është fitimi i kompanisë koncesionare që, zyrtarisht, operon në emër të ortakut të vëllait të kryeministrit. Kjo është arsyeja pse në treg, në vitin 2013 ishin 928 pika bastesh dhe 4 vjet pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, pikat e basteve janë katerfishuar, duke numëruar 4230 pika bastesh”, tha Tabaku.

 

Ky, vijoi Tabaku, “është momenti i duhur për të sjellë në vëmendje se me ligjin e 2015-ës për lojërat e fatit, Edi Rama jo vetëm nuk i largoi pikat e bixhozit nga qytetet dhe nga shkollat, por u uli atyre taksat në mënyrë të ndjeshme”.

“Kur ligji të hyjë në fuqi në 1 janar 2019, tatimi mbi fitimin e biznesit të bixhozit nuk do të jetë më 25 përqind, por gati është përgjysmuar, në 15 përqind. Edi Rama po e shtyn prej 3 vjetësh hyrjen në fuqi të zbatimit të ligjit për t’i dhënë mundësi bixhozit dhe pikave të basteve të zgjerohen dhe, në këtë mënyrë, kompanisë koncesionare të të vëllait, t’i shtohet fitimi”, tha Tabaku.

/gj.mima//e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPse ky sezon turistik është më i sigurt se vitet e kaluara?
Artikulli tjetërFormula 1- Ish-kampioni i botës Niki Lauda, në gjendje kritike për jetën