TIRANË, 29 mars/ATSH/ Politikanë, zyrtarë, miq e kolegë kanë përcjellë sot mesazhe ngushëllimi për ndarjen e papritur nga jeta të deputetit socialist, Bashkim Fino.
Deputeti i Partisë Socialiste Bashkim Fino, u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare, pasi ishte i infektuar me COVID-19.
Meta: Dhembje e madhe, që na ka lënë pa fjalë
Presidenti Ilir Meta tha se “ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes”.

“A e mban mend sa gëzim solle me vete atje dhe gjithë rrugës për atje në një stafetë njerëzore që s’kish fund?! A i mban mend brohoritjet e njerëzve të zakonshëm si ti?! Aty u shenjua që të vijonim bashkë betejat, ti në Kuçovë e unë në Berat. Ti në Lushnje e unë në Divjakë. Nuk e di, por fati e ka sjellë që unë të eci në gjurmët e tua, ku ishe ti, punove ti, luftove ti, fitove ti, vijova unë! Është një jetë e tërë kështu, 24 vite! Tani jam në gjunjë, me lotët që mbysin fjalët; po do ringrihem edhe për ty! Kemi betejë për të bërë ende, në Lushnjë e Divjakë. Do çojmë deri në fund punët që nise ti, do mbajmë çdo premtim tëndin për njerëzit atje, tani edhe si amaneti i Bashkimit. Aaaa po, do vijoj të luaj futboll Bashkim, edhe për ty! Ne të dy as aty nuk u ndamë, një pasion i madh që na bëri bashkë edhe si të kuq, në fusha e tribuna. Qemal Stafën kurrë nuk e mbushi kaq asnjë tjetër veç teje e Kombëtares së Shqipërisë”, tha Braçe.
“Kryeministri që zbriti në fushë në vitin e zi, dha gëzim edhe nga një fushë futbolli! Të qoftë i lehtë dheu në gjoks vëllai im! Rruga me ty ishte më e bukura rrugë që kam bërë ndonjëherë”, përfundon Braçe.
Nishani: Humbëm një person me vlera e parime
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të deputetit socialist, Bashkim Fino.
Nishani shprehet se humbëm një person me vlera e parime njerëzore që donte të kontribuonte për shtetin.
“Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve të ish Kryeministrit Bashkim Fino! Pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike që i përkasim, vlera njerëzore dhe dimensioni i dëshirës për të kontribuar për shtetin, për vendin, për Shqipërinë tonë, janë parimet më sublime. Kur këto parime humbasin dikë, të gjithë ndihemi të pikëlluar. Pusho në paqe tashmë, Bashkim!”, shprehet Nishani.
Basha: Zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos.
“Me trishtim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit, ish-ministrit dhe ish-deputetit Bashkim Fino. Jam i bindur se kontributi i Bashkim Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fino dhe gjithë të dashurve të tij. U prehtë në paqe”, tha ai.
PD njoftoi se “për shkak të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe deputetit të parlamentit Bashkim Fino, kryetari i PD Lulzim Basha vendosi të shtyjë aktivitetet politike të parashikuara për ditën e sotme në Fier me pjesëmarrjen e tij”.
Xhaçka: I pazëvendësueshëm, simbol i mirësisë dhe kujdesit për njerëzit

Ministrja për Europën e Punët e Jashtme, Olta Xhaçka tha se “ka disa njerëz, disa miq të mirë, që kur ikin lënë pas një boshllëk aq të madh, që nuk zëvendësohen e nuk ua zë dot kurrë dikush tjetër vendin që kishin, sepse ishin të papërsëritshëm”.
“I tillë ishte për mua Baçi, një mik i mirë, simbol i mirësisë e kujdesit për njerëzit, i fjalës dhe i humorit, që do të na mungojë aq shumë. U prehsh në paqe e qofsh i parajsës miku im! Mungesa jote është e pazëvendësueshme”, tha ajo.
Manastirliu: Drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se “jam krenare që kam ndarë një copë udhë në politikë me njeriun, i cili drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit”.
“E trishtuar nga lajmi i ndarjes nga jeta të mikut dhe kolegut, Bashkim Fino. Do të më mungojnë bisedat gjatë pushimeve në seancat e Kuvendit, ku nuk i kursente asnjëherë këshillat e mençura. Krenare që kam ndarë një copë udhë në politikë me njeriun, i cili drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit. U prehsh në paqe, mik”, tha ajo.
Ahmetaj: Fino i doli për zot vendit në ditë të vështira

Ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të deputeti Bashkim Fino.
“Me çfarë fjalësh mund ta përcjellësh një mik të shtrenjtë të zemrës e të familjes?! Jam i hidhëruar nga ikja jote, nuk mund ta besoj. Do na mungosh çdo ditë si mik i dashur, si socialist me shpirt, si patriot i vërtetë që i dole për zot vendit në ditë të vështira. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes.
Veliaj: Në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se “shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë që, në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij”.
“Mëngjes fort i trishtë ky, pas ikjes së një burri babaxhan e të mirë, një socialist i çmuar, si Bashkim Fino. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë që, në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij! Prehu në paqe mik i dashur”, tha Veliaj.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të deputetit të PS-së, Bashkim Fino.
Kryemadhi shprehet se me hidhërim ka mësuar lajmin e trishtë, për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos të cilin e quan një njeri i mirë dhe një socialist të vërtetë.
Ajo e cilëson Finon, njeriun që ishte kundër çdo konflikti absurd, i lindur për të qenë kryeministër i pajtimit.
“Me hidhërim të madh mësova lajmin se u nda nga jeta një njeri i mirë, një socialist i vërtetë. Njeriu që ishte kundër çdo konflikti absurd, i lindur për të qenë kryeministri i pajtimit. U prehsh në paqe Bashkim”, shprehet Kryemadhi.
“Lajm i trishtë ndarja nga jeta e mikut dhe kolegut Bashkim Fino. Një humbje e parakohshme që krijon një boshllëk të madh jo vetëm tek familja por edhe tek miqtë e shumtë dhe kolegët! Familja humbi njeriun e vet të dashur, miqtë humbën një burrë fisnik e me vlera të jashtëzakonshme! Kolegët humbën njeriun e përkushtuar që diti të marrë përsipër përgjegjësi edhe në momentet ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë postkomuniste, atë të trazirave të vitit famëkeq 1997, kur Bashkimi u kthye në simbol shprese si Kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar”, shkruan Gjiknuri.
Kodheli: Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne

Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli ka ndarë një foto të tyre së bashku, kur kanë qenë shokë klase në fakultet. “Ja ku jemi të dy, shokë të një klase fakulteti. Mbetëm deri sot të tillë, por jam e sigurt do takohemi sërish. Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne, mik i ditëve të mira e të vështira, Bashkim Fino. Do na mungosh të gjithëve, por më shumë Dianës së dashur. Lamtumirë e shihemi në kohë më të mira”, shkruan ajo.
Xhafaj: Luftoi aq shumë për jetën, shëmbëlltyra e njeriut fisnik dhe politikanit të qytetëruar
Deputeti Fatmir Xhafaj, kujton sakrificat dhe solidaritetin e Finos brenda socialistëve.
“I dhimbshëm në shpirt lajmi i hidhur që njofton ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tonë Bashkim Fino. Luftoi aq shumë për jetën ku prej vitesh me radhë fitoi disa beteja, por nuk ja doli dot t’i shpëtonte përballjes së fundit duke lënë mes nesh kujtimin e një njeriu që guxonte të ishte vetvetja, të ishte i vërtetë, i guximshëm dhe përherë aktiv për të ruajtur frymën e bashkëjetesës dhe solidaritetit brenda familjes sonë socialiste. E njoha nga afër në vitin e mbrapshtë të ‘97 dhe prej asaj kohe u bëmë bashkëudhëtarë të të njëjtit rrugëtim ku na u ndërthur bashkëpunimi si kolegë, si miq dhe si socialistë të një kauze. Ai ishte dhe ngelet shëmbëlltyra e njeriut fisnik, politikanit të qytetëruar, socialistit të vërtetë qysh në orët e para dhe personalitetit që e ndërtoi me punë e sakrifica, karrierën dhe emrin e tij. Ngushëllime të përzemërta familjes, të afërmve dhe gjithë kolegëve! U prehsh në paqe Bashkimi ynë i paharruar!”, nënvizon Xhafaj.

Deputetja e PS-së, Senida Mesi ka shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të deputetit Fino.
“Shumë i trishtë lajmi i ikjes tënde para kohe nga jeta Fino. Ishe nga miqtë e paktë e të vërtetë që kisha në politikë, gjithmonë i drejtë e zalart dhe i pakompromis për kauzat që besoje fort. Gjithmonë me këshilla të vyera për mua. Gjithmonë me respektin maksimal karshi meje jo për pozicionin që kisha, por për idetë dhe qëndrimet që ndanim. Gjithmonë i qeshur dhe me humor, si kjo foto e bërë në lulishten e Kuvendit ku kishe dëshirë të takoheshe me miq dhe të pije puron tënde të preferuar”, shprehet Mesi.
“Po prisja me padurim ta kaloje edhe këtë sfidë edhe pse me frikën se çdo ditë e çdo javë kjo flamë të kishte lodhur shumë. Po prisja me padurim të dilnim bashkë me Megin, vajzën tënde të dashur të pinim kafen sapo të shëroheshe, por ti nuk do jesh dhe ne sinqerisht na le shpirt-vrarë.. Duhet të të them lamtumirë, por realisht s’po mundem dot, jo tani,… Ngushëllime të sinqerta familjes”, shprehet Mesi.
“Baçi s’është më”/ Manja: Do më mungojë kaq shumë ajo mendja jote, që bënte zap këdo me argumente e autoritet
“Baçi s’është më. Kam një boshllëk në zemër, një hon që nuk di as ta përshkruaj për mikun e bashkëluftëtarin e pazëvendësueshëm”, shprehet deputeti i PS-së Ulsi Manja në mesazhin e tij për humbjen e parakohshme të deputetit Fino.
“U shkruajtëm të martën që kaloi, më thanë edhe që u bëre më mirë, por paska qenë mesazhi i fundit me ty vëlla dhe unë nuk e dija. Do më mungojë kaq shumë ajo mendja jote, që bënte zap këdo me argumenta e autoritet. Do më mungojë shumë mbrojtësi i krahëve në çdo debat djallëzor. Do më mungojnë dhe ato grindjet tona dhe zemra jote e madhe, që gjente qetësi pas pesë minutash, e buzagaz ndizte një puro e më thoshe: “Hajde Ulsi pimë një kafe se për punë do grindemi patjetër””, shprehet Manja.
“Eh mik! Ç’të kujtoj më parë nga ty! Sa vite të vështira kemi kaluar! Sa pengesa, rreziqe, por edhe kënaqësi kur ia kemi dalë për vendin. Ti, Bashkim Fino, do jesh përjetë i gdhendur si kryeministri i Pajtimit Kombëtar. Askush tjetër nuk do të jetë si ty. Lamtumirë mik e vëlla! U prehsh në paqe”, shprehet deputeti Manja.
Kushi: Një mik që do të jetojë në kujtimet tona përgjithmonë

“E vështirë të them lamtumirë për Bashkim Finon! Një mik i dashur si ai nuk mund të largohet kurrë, por do të jetojë në kujtimet tona përgjithmonë”, shprehet ministrja e Arsimit, Kushi në mesazhin e saj ngushëllues.
Gjonaj: Humbëm mikun dhe kolegun tonë, që me kontributin e tij për shtetin shqiptar do të mbetet gjatë në kujtesën e shumë shqiptarëve

“Me keqardhje të thellë mësova ndarjen nga jeta të kolegut tonë, Bashkim Fino.
Familja humbi njeriun e saj të dashur, ne humbëm mikun dhe kolegun tonë, që me kontributin e tij për shtetin shqiptar si Kryeministri i Pajtimit Kombëtar, me Kontributin e tij për Partinë Socialiste, do të mbeten gjatë në kujtesën e shumë Shqiptarëve”, shprehet Gjonaj.
“Do të mbeten gjatë në kujtimet e mia, diskutimet, shakatë, këshillat dhe mbështetja e tij në Komisionin e Ligjeve dhe në Parlament për çdo iniciativë ligjore. U prehsh në paqe Bashkim”, përfundon ministrja e Drejtësisë, Gjonaj mesazhin e saj ngushëllues.
Klosi: Shoku i dhjetëra betejave, një emër i mirë tek të gjithë ata që e njohën apo jo personalisht


/m.m/r.e/

































