TIRANE, 25 korrik /ATSH/ -Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë të ditur se që nga muaji shtator do të fillojë me zbatimin e Udhëzimit për Gjobat Mandatore, ku përmes gjobitjes së qytetarëve që hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara do të ndalim ri-krijimin e deponive ilegale të mbeturinave.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për krijimin e Task Forcës për pastrimin e mjedisit në periudhën 15 shtator- 15 dhjetor 2018.
“Ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj si koordinatore e kësaj Task Force, së bashku me Kryeministrin, ministrat, shoqërinë civile, FSK-në, KFOR-in dhe të tjerët do të sigurojnë një aksion gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm për pastrimin dhe gjelbërimin e Kosovës. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të raportojnë të gjithë ata që në një apo formë tjetër ndotin mjedisin ku jetojmë duke vepruar kështu së bashku në ruajtjen dhe mbrojtjen mjedisit”, thuhet në njftim.
Ministrja, po ashtu ka mirëpritur edhe vendimin tjetër të Qeverisë së Kosovës për miratim të Projektligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, që ka për qëllim të ofrojë një bazë për zhvillimin e masave të komunitetit për zvogëlimin e ndotjes së ajrit nga burimet e mëdha, në veçanti nga industria, amvisëria, shërbimet publike dhe private, automjetet e transportit dhe infrastruktura.
Projektligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, sipas ministrisë është hartuar në harmoni me standardet europiane, sipas teknikave të reja juridike, me një koncept fleksibil, të zbatueshëm në sistemin juridik të Republikës së Kosovës. /KosovaPress//e.malaj/j.p/











