Ballina Ekonomi

Rritje ekonomike mbi 6% vitin e ardhshëm

TIRANË, 6 tetor/ATSH- Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “rritja ekonomike në Shqipëri për vitin e ardhshëm do të jetë rreth 6% plus”.

“Për fat të mirë, mund t’ju them që nga eksperienca e këtyre viteve, parashikimet e bëra në kushte shtëpie, pra brenda qeverisë për rritjen ekonomike janë ato që janë më afër realitetit. Përgjithësisht unë besoj te ky trend. Kështu që ne nuk themi ndonjëherë që do të rritemi 12% vitin e ardhshëm. Mendoj që ne do të jemi rrotull 6% plus vitin e ardhshëm”, deklaroi Rama, gjatë një konference për shtyp.

Përsa i përket buxhetit, Kryeministri theksoi se “ai do të jetë publik në ditët në vijim pasi ka marrë formë përfundimtare”.

I pyetur lidhur me financimin e HEC-it të Skavicës, Kryeministri Rama tha se “opsionet e financimit janë çështja me të cilën po merremi tani”.

Kryeministri Rama u përgjigj edhe interesimit të gazetarëve nëse do të ketë një Garanci Sovrane 3.

“Të dyja garancitë sovrane po funksionojnë më së miri. Së dyti, askush nuk e di se sa do të zgjasë pandemia, por sot askush nuk është i penguar të punojë, të zhvillojë aktivitetin e tij dhe të gjejë rrugët e tij për të bërë më të mirën. Është shumë e rëndësishme të mos detyrohemi të qëndrojmë në shtëpi për çfarëdo kohe, edhe një javë qoftë, pasi do të ishte shkatërruese për ne”, tha Rama.

Lidhur me ndikimin në arkën e shtetit nga heqja e tatimfitimit dhe TVSH-së për bizneset e vogla nga janari 2021, Kryeministri Rama informoi se “janë afro 40 milionë dollarë”.

“Efekti në buxhet është i konsiderueshëm, por ne besojmë shumë fortë se efekti në punësim dhe ekonominë familjare është i konsiderueshëm. Shteti merr përsipër shtrëngimin e vet në buxhet dhe biznesi i vogël merr një hov më shumë në punën e vet. Është afro 40 milionë dollarë”, shtoi Rama.

Kryeministri shprehu po ashtu bindjen se “me procesin e dixhitalizimit të transaksioneve, ne besojmë shumë se do të kemi më tepër se 40 milionë mbrapsht nga të bizneset e mëdha. Besojmë shumë në këtë skemë”. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha në një sipërmarrje në Fushë-Krujë: 5 pikat e planit të PD-së shpëtojnë ekonominë
Artikulli tjetërCakaj: ETIAS synon rritjen e sigurisë së brendshme të BE-së, nuk rikthen vizat