Ballina Flash

TikTok: Koalicion global kundër përhapjes së përmbajtjeve të dëmshme

PEKIN, 24 shtator /ATSH-ANSA/ – Kompania e aplikacionit TikTok propozoi një koalicion global me media të tjera sociale për të kundërshtuar përhapjen e përmbajtjes së dëmshme.

CEO i kompanisë, Vanessa Pappas u shkroi drejtuesve të nëntë platformave duke propozuar që së bashku të zhvillojnë një memorandum mirëkuptimi që inkurajon kompanitë të paralajmërojnë njëra-tjetrën për qarkullimin e përmbajtjes shumë të qartë dhe të dhunshme, përfshirë ato për vetëvrasje.

“Duke punuar së bashku ne mund të zvogëlojmë ndjeshëm shanset që njerëzit të hasin në këtë përmbajtje dhe të pësojnë dëmin emocional që shikimi i tyre mund të sjellë, pavarësisht nga aplikacioni që ata përdorin”, shpjegon TikTok në një shënim.

TikTok, i cili është në pritje të mendimit të Shtëpisë së Bardhë mbi marrëveshjen me ”Oracle” dhe ”Walmart”, gjithashtu paraqiti një raport transparence që tregon se në gjashtë muajt e parë të vitit 2020 aplikacioni kinez hoqi 104,5 milionë video për shkelje udhëzime, të barabarta me më pak se 1% të të gjitha videove të ngarkuara në këtë platformë.

Nga këto, 90% u fshinë para se të shihej nga një përdorues i vetëm.

Në SHBA janë eliminuar 9,8 milionë video, nga të cilat 41 000 për dezinformim dhe 321 000 për shkelje të rregullave të gjuhës së urrejtjes.  /os/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19/ 17 pacientë po trajtohen në Spitalin e Pejës, 2 në gjendje më të rëndë
Artikulli tjetërBulqizë/ Rruga e Bllacës drejt përfundimit, përfitojnë qindra banorë