TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari theksoi sot se “amendamentet kanë ardhur si deputete e Kuvendit, por duke u konsultuar edhe me pjesën tjetër të opozitës parlamentare. Pa dyshim u lind nevoja direkt për të bërë këtë propozim, pasi u njohëm me propozimin e PS-së se listat nuk ishin të hapura, por u përdor një truk i shëmtuar për t’i treguar publikut që listat janë hapur, ndërkohë që vendimmarrja e listave do të ishte totalisht në duart e kryetarit”.
Në një intervistë televizive, Hajdari tha se “për këtë shkak ashtu siç e kemi premtuar që prej fillimit, që listat duhet të jenë totalisht të hapura dhe zgjedhësit duhet të vendosin mbi ata kandidatë që të fitojnë, që të shkojnë në Kuvend. Për këtë arsye ne bëmë një propozim tjetër që garanton hapjen e listave 100%, ashtu siç kemi premtuar që prej fillimit”.
Deputetja Hajdari u shpreh se “në momentin që i hedh një vështrim propozimit të PS-së, shikohet që në fakt edhe pse i jepet sot zgjedhësit mundësia për të votuar një kandidat, në fund fare ai që del fitues e që shkon në Kuvend i lihet në dorë kryetarit. Kryetari vendos renditjen e kandidatëve për deputet dhe më pas ai e vendos dhe rezultatin se kush do të jetë në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk është votuesi ai që e zgjedh në rang qarku, nëse do të jetë ai deputet që do të shkojë në Kuvend. Përjashtimi që ka bërë PS-ja me këtë propozim është që jashtë listës së fituesve, pra në vijën ku kufizohet lista e fituesve, të ketë një kandidat që merr një mandat të plotë. Çdo qark ka numrin e votuesve se sa duhet për të marrë një mandat dhe variojnë diku nga 8.000 deri në 12.000 vota. Në një mënyrë që ti të kapërcesh pragun e vijës fituese në Tiranë duhet të marrësh diku tek 12.000 vota”.
E pyetur nëse do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese këtë nismë të PS-së, Hajdari tha se “po, sepse unë nuk besoj se PS-së do të marrë këtë vendim, sepse në Kuvend nuk kalon”. /k.s//a.a//r.e/





















