TIRANË, 30 qershor /ATSH/- Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit shënoi një rritje me 1,93 % në Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë (P.B.B) në tremujorin e parë të vitit 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, bujqësia përfshirë edhe sektorët blegtori e agro-turizëm, krahas rritjes së prodhimit ka shënuar në këtë periudhë edhe rritje të eksporteve “Made in Albania”.
Në 3-mujorin e parë të viti, u eksportuan prodhime bujqësore me vlerë 6.3 miliardë lekë me një rritje prej 1.2 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Falë programeve të mbështetjes së integruar në bujqësi që ka ndërmarrë qeveria, ky sektor po sheh një perspektivë të re zhvillimi.
Bujqësia impuls i ri zhvillimi, përmes projekteve të integruara që injektojnë mbështetje financiare dhe lehtësi fiskale
Ekspertët e bujqësisë shprehen se, vetëm këtë vit qeveria po injekton një seri projektesh të integruara në mbështetje financiare dhe lehtësi fiskale me impakt në zhvillimin rrënjësor rural.
Sipas tyre, Skemat Kombëtare të Mbështetjes 2018 (subvencionet) u rritën në shumën e 20 milionë USD, kundrejt 16 milionë USD që ishin në vititn 2017, u lehtësuan në 0, nga 13 dokumente që ishin për aplikimin e fermerëve në subvencione, ka nisur zbatimin programi i kreditimit të bujqësisë përmes Fondit të Garancisë nga shteti, ndërsa pritet të nisë projekti i IPARD-it me vlerë 93 milionë euro në mbështetje të bujqësisë dhe agrobiznesit.
Ndërkohë për të zgjeruar gamën e mbështetjes gjithë-përfshirëse rurale, janë hapur aplikimet deri në datën 15 korrik për financimin e sipërmarrjeve agro-turistike përmes Programit Kombëtar “100 fshatrat”, është ulur TVSH në 6% dhe janë përjashtuar për 10 vite nga Tatim-Fitimi strukturat specifike akomoduese të këtij sektori.
Një ritëm tjetër zhvillimi njëkohësisht po shënon edhe sektori i investimeve mbështetëse nga projektet e qeverisë në infrastrukturën rrugore lokale, kanale kulluese dhe ngritjen e tregjeve të shitjes që stimulojnë një zhvillimin të qëndrueshmën të bujqësisë në vendin tonë. e.xh/ j.p/





















