TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Kryesia e Partisë Demokratike ka emëruar sot 5 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, që është përgjegjës për shqyrtimin e kandidaturave të propozuara nga anëtarët.
Në njoftimin për shtyp, PD bën të ditur se “kjo është hera e parë në Shqipëri, ku kandidatët nuk përzgjidhen nga Kryetari i Partisë, por nga personalitete, brenda dhe jashtë strukturave të Partisë”.
Sipas vendimit të Kryesisë së PD, anëtarë të kësaj strukture të rëndësishme dhe të re të Partisë Demokratike, do të jenë, ish-presidenti Bujar Nishani, Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, ish-ministri dhe ish-deputeti, themelues i PD Besnik Mustafaj, Genc Ruli, themelues i PD, ish-ministër, Enriketa Papa, pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe Mark Marku, ish-deputet, analist, pedagog në Universitetin e Tiranës, në Departamentin e Gazetarisë.
Komisioni do të ndihmohet nga Sekretariati i përbërë nga Sahit Dollapi, Sekretar Organizativ dhe Ervin Minarolli, Sekretar i Burimeve Njerëzore.
PD njofton se, Komisioni i Vlerësimit, si një strukturë e besueshme dhe me integritet, do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë. Modeli i konservatorëve britanikë, të cilët kanë asistuar PD, së bashku me republikanët amerikanë dhe CDU e Angela Merkel, u votua në Kuvendin Kombëtar të demokratëve në ndryshimet statutore.
Ky proces që ndodh për herë të parë në Shqipëri, u përshëndet nga Instituti Republikan Amerikan IRI, konservatorët britanikë, CDU dhe forcat politike të PPE, që kanë inkurajuar që ky proces të ndiqet si model i demokratizimit të forcave politike, në Shqipëri dhe në gjithë Rajonin.
Në fazën e parë të propozimeve, në një proces që zgjati 6 javë, janë identifikuar një numër i madh kandidatësh në të 12 qarqet, ku bien në sy se, krahas emrave të njohur të strukturave të partisë, ka shumë emra jashtë strukturave të saj, kryesisht nga bota akademike dhe shoqëria civile.
Sipas PD, Komisioni do të bëjë vlerësimin e çdo kandidati, nëse përmbush apo jo kriteret e parashikuara me detaje në udhëzimin për funksionimin e procesit. Korpusi i njerëzve me influencë, me mbështetje, me aftësi në fusha të ndryshme, që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike. /a.g//r.e/























