PARIS, 29 qershor /ATSH-AFP/ – Nëse vrasjet e gazetarëve janë të shpeshta në botë, sulmet e përgjakshme kundër mjediseve të medias, si ajo e Annapolis, janë të rralla.
Një prej më të fundit dhe të përgjakshme goditi të përjavshmen satirike franceze, ”Charlie Hebdo” në 2015.
Një vrasje që tronditi opinionin në SHBA ishte ajo e 26 gushtit 2015, e Alison Parker, gazetare e një stacioni lokal të shtetit të Virxhinias, 24 vjeçe.
Sulme të përgjakshme kundër selive të medias gjatë këtyre viteve të fundit kanë edhe ndodhur jashtë SHBA-së:
– 2017: Shamshad TV –
Më 7 nëntor 2017, një grup personash të veshur si policë sulmuan për tre orë selinë e stacionit televiziv Shamshad TV në Kabul, veçanërisht me granata duke vrarë një person dhe duke plagosur 20 të tjerë, në sfondin e dhunës në rritje në Afganistan kundër gazetarëve.
Grupi i Shtetit Islamik mori përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi, ashtu si sulmi kamikaz ku humbën jetën nëntë gazetarë në Kabul, në prill 2018, mes të cilëve dhe kryereporteri i AFP-së në Afganistan, Shah Marai.
– 2015: ”Charlie Hebdo” –
Më 7 janar 2015, vëllezërit Cherif dhe Said Kuaki, 32 dhe 34 vjeç, hyjnë në selinë e të përjavshmes satirike, Charlie Hebdo, në Paris dhe sulmojnë me armë 12 persona.
Mes tyre karikaturistët, Wolinski, Cabu, Charb dhe Tignous, si dhe dy policë, njëri prej të cilëve u vra. 11 persona të tjerë u plagosën.
Në nëntor 2011, selia e Charlie Hebdo, që kishte publikuar karikaturat e Muhametit, u bë objekt i një zjarri kriminal, pa shkaktuar viktima.
– 2013 : “Liberation” në Paris –
Më 18 nëntor 2013, një asistent fotograf u plagos rëndë nga një person i armatosur, i cili kishte hapur zjarr në hollin e hyrjes së gazetës “Liberation”.
Agresori, Abelhakim Dekhar, 48 vjeç, u dënua në vitin 2017 me 25 vjet burg.
– 2012: Atentat i dyfshishtë në Nigeri –
Më 27 prill 2012, në Nigeri, dy atentate me bombë vranë të paktën tetë persona, përfshirë dhe një kamikaz, në kryeqytetin Abuja dhe në Kaduna, një qytet i madh në veri.
– 1996 : Shtëpia e shtypit në Algjer –
MË 11 shkurt 1996, 21 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas një atentati me një makinë me eksploziv kundër Shtëpisë së shtypit, një ish-kazermë në qendër të Algjerit.
Mes viktimave bënin pjesë tre gazetarë të “Soir d’Algerie”, Allaoua Ait Mebarek, kryeredaktor Mohamed Dhorban dhe Djamel Derraza./ /ec/ a.jor.























