Ballina Aktualitet

Hapja e negociatave për Shqipërinë, vendim i drejtë

TIRANË, 25 qershor /ATSH/  Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e Miqve të Shqipërisë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, një iniciativë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias.

Në takim morën pjesë, po ashtu,  ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Suedisë, Rumanisë, Polonisë, Bullgarisë, Maltës, Qipros si dhe vende të tjera anëtare të BE-së dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Ministri Bushati falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer në perspektivën europiane të Shqipërisë dhe u shpreh se ky takim është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar për progresin e bërë. Ministri Bushati nënvizoi hapat që ka ndërmarrë Shqipëria përmes reformave të guximshme për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe plotësimin e pesë prioriteteve në kuadrin e perspektivës së anëtarësimit në BE.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe shtoi se hapja e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë është vendim i drejtë dhe në interes të dyanshëm.

Në takim u diskutua mbi koordinimin e hapave të mëtejshme të fillimit të bisedimeve të anëtarësimit.

Në këtë kontekst, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe rezultatet pozitive të arritura në përmbushje të prioriteteve kyçe për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe miratimin e reformës në drejtësi, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e zbatimit të qëndrueshëm të tyre.

Gjithashtu, ata nënvizuan progresin e pasqyruar në Raportin e Komisionit duke evidentuar ecurinë e reformave shtet-konsoliduese dhe çmuar vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të vijuar me zbatimin e reformës në drejtësi. /j.prifti/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakThaçi për “Le Figaro”: Paqja mes Kosovës dhe Serbisë, e paevitueshme
Artikulli tjetërPërurohet busti i Eqerem Çabej, Rama: Përjetësisht Lartmadhëria e Albanologjisë