Përurohet busti i Eqerem Çabej, Rama: Përjetësisht Lartmadhëria e Albanologjisë

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155909221066523/

 

TIRANË, 25 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Një vepër e bukur për një njeri të bukur, të cilin përkushtimi dhe kontributi për gjuhën shqipe e ktheu përjetësisht në Lartmadhërinë e shkencave albanologjike”.

Kështu e konsideroi sot, kryeministri Edi Rama albanologun Eqerem Çabej, busti i të cilit u përurua sot në ambientet e jashtme të Akademisë së Shkencave në Tiranë.

Në fjalën përshëndetëse të rastit, kryeministri Rama e konsideroi këtë ceremoni, një rast të veçantë që sprovon të gjithë eksperiencën e fjalëve të mbajtura para njerëzve.

“Të flasësh shqip për të nderuar një njeri aq të bukur sa Eqerem Çabej, përkushtimi dhe kontributi i të cilit për shqipen e ktheu përjetësisht në Lartmadhërinë e shkencave albanologjike është një sfidë më vete”, tha Rama.

Ai solli në vëmendje bashkëbisedimin me “një mik të shtrenjtë që sot nuk është mes nesh, por që u mundua gjatë në labirinthet e shqipes, Ardian Klosin, për përkthimin në shqip të një fjale “serenitas””.

“Një përthyerje fatlume e greqishtes ‘seirios’ e futi nëpërmjet latinishtes si ‘sirius’ dhe më pas prej mbiemrit foljor ‘serenus’, në gurrën e përveçme dhe të përbashkët të shumicës së gjuhëve të Europës perëndimore ‘serenitas'”, tha Rama.

Mungesa e Eqerem Çabej, tha Rama, e bën të pamundur që të rroket me një fjalë të vetme përkufizimi që më është dukur më i godituri për personalitetin e mishëruar në këtë vepër në bronc.

“Kur e sheh këtë vepër, duke e njohur dhe veprën dhe stërmundimet e njeriut që i përkushtohet të sjell te ‘serenitas’. Po të ishte këtu, Çabej do të na e kishte dhënë pa mundim fjalën apo togfjalëshin e duhur në gjuhën tonë të kësaj reference. Megjithatë mjeshtëria e Hektor Dules, ia ka dalë ta skalisë për përjetësinë, atë që do të ishte e pamundur të përmblidhej me një fjali apo paragraf, atë që Çabej la jo vetëm si gjurmë, por edhe si frymë në të gjithë damarët e trupit të shqipes”, tha Rama.

Nuk dua të marr përsipër të shpjegoj apo edhe të përshkruaj vlerat e këtij portreti, tha Rama. “Kemi parë shumë përpjekje të kthyera në bronc dhe unë hyj te ata që në të shumtën e herës kam qenë i dëshpëruar për autorët, por në këtë rast jemi para një përpjekjeje që e rendit bustin e Çabejt në 5 gishtat e dorës mjeshtërore të skulpturës shqiptare”, vijoi ai.

Kryeministri u shpreh se “për mua kjo vepër është e barazvlefshme në emocion, plastikë dhe fuqinë goditëse, sa është busti i Naim Frashërit, i Paskalit”.

“Brikena Çabej mund të fliste dhe mund të thoshte gjëra shumë më të mençura dhe të përshtatshme se sa unë, por prania pa folur e bën Brikenen sot edhe një herë tjetër trashëgimtaren e denjë të të jatit, që vetëpërmbajtjen e ka pasur pjesë të legjendës që ka lënë pas dhe nga ana tjetër edhe diskrecionin në çdo mjedis ku ka rrezatuar vepra dhe përmbajtja qytetare e qenies së tij, por rrallëherë fjala apo prania e bujshme”, tha Rama.

Imazhi i këtij busti, vijoi ai, i falë edhe këtij parku një copë ndjesie çabejane të të qenit i pranishëm, pa qenë në të njëjtën kohë ngacmues për të gjithë të tjerët rreth e rrotull”.

“Është një prani e vyer dhe mjeshtëria për ta tejçuar përmes një busti besoj se kurorëzon në mënyrën më shembullore karrierën e gjatë 63-vjeçare të profesor Hektor Dules, por që mua më duken 663 vjet. Nga ana tjetër, na jep ne mundësinë që të ngushëllohemi më së miri në mjedisin demokratik të gjuhës plastike që ka njohur degradime të ngjashme me mjedisin demokatik të gjuhës së folur shqipe”, tha Rama, duke vlerësuar bustin e përuruar sot.

Ndërsa e cilësoi një ndër fjalët më të vështira që i është dashur të mbajë, Kryeministri Rama u shpreh se “më rëndon jashtë mase madhështia dhe forca e Eqerem Çabej në përdorimin e kësaj pasurie të paçmueshme të shqiptarëve, gjuhës shqipe”.

Rama inkurajon botimin e tezës së doktoraturës së Çabej: Thesar kombëtar

Kryeministri i kërkoi Brikena Çabejt, që në nder të 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriot Skënderbeut të botojë tezën e doktoraturës së Çabej.

Kryeministri e konsideroi një thesar kombëtar tezën e doktoraturës së Çabej, të mbrojtur në universitetein e Vjenës, me titull “Studime italo-shqiptare”, kushtuar Horës së Arbëreshëve në Siçili.

“Besoj se brikena do ta marrë seriozisht botimin dhe rikthimin në jetë të këtij studimi historik, që padyshim do të stimulojë edhe një debat cilësor. Do të ishte e mrekullueshme sikur ky thesar të niste të debatohej në Samitin e Diasporës, që ne do të mbajmë në 26-28 nëntor të këtij viti, që do t’i kushtohet albanologjisë”, tha Rama.

Ai siguroi mbështetjen e e tij dhe të qeverisë për publikimin e këtij thesari.

/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.