Ballina Lajme nga Vendi

FOTO- Kurora e gjelbër e qytetit të Pukës, amfiteatër natyror

TIRANË, 18 qershor/ATSH/.- Bashkia e Pukës ka bërë një punë të mirë për shtimin e hapësirave të gjelbra me mbjelljen e drurëve dekorativë të llojit bli.

Në disa fotografi të postuara në rrjetin social “Facebook” të bashkisë së Pukës, shihet sesa mirë janë zhvilluar vetëm në një muaj drurët e blirit, që u mbollën në vendin e njohur si Kodra e Hanit.

“Ndryshe nga vite më parë kur mbillej thjesht për të marrë fonde e bërë foto se investimi u krye, ndonëse aktualisht nuk shikohen askund më, drurët për të cilët janë paguar miliona lekë, sot kemi rezultate konkrete dhe pa fonde e tendera që jo shume vite më parë përdoreshin për të pasuruar kompanitë”, theksohet në postimin e bashkisë.

Sipas bashkisë, brenda pak kohësh drurët e blirit do të jenë pjesë e amfiteatrit natyror, që krijon kurora e gjelbër e qytetit të Pukës me pyjet e pishës dhe bredhit.

Bashkia e Pukës shprehet se “kjo është vetëm një pjesë e sipërfaqeve të gjelbëruara ku në tre vite janë mbjellë 500 drurë dekorative vetëm në qytetin e Pukës”.

Puka shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.

Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese./k.s/ j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak46 gjimnazistë të “Sami Frashërit” marrin diplomat e gjuhës gjermane
Artikulli tjetërBerat, inagurohet çerdhja për fëmijët romë, financim i BE-së