TIRANë, 16 qershor/ATSH/- Një projekt i ri më specifik për Lurën, do të krijohet nga Agjencia Kombëtare për Planifikimin e Territorit, i cili synon kthimin e saj në një destinacion për vizitorët jo vetëm shqiptarë , por edhe të huaj.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare për Planifikimin e Territorit, Adelina Greca, theksoi sot gjatë takimit për Projektin e zhvillimit të Lurës, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, se “agjencia jonë ka filluar punën para dy vitesh për të punuar për Lurën për të hartuar planin e përgjithshëm vendor të bashkisë së Dibrës, ku bën pjesë edhe Lura”.
“Ai plan i vetëm nuk mjafton së shpejti do të fillojmë edhe një projekt tjetër dhe më specifik për Lurën, i cili ka disa synime; synon për të krijuar një lidhje më të mirë të Lurës jo vetëm me qendrën, por edhe me komunitete të tjera rreth e përqark; të shërojë plagët që ka marrë Lura në 10 vjeçarët e fundit sidomos sa i përket natyrës; të zgjerojë potencialet e saj të fjetura për ta kthyer atë në një aset që prodhon sidomos të ardhura për banorët e saj; për të sjellë më shumë vizitorë në Lurë dhe për ta bërë më të vizitueshme dhe aktive në katër stinë; për t’i krijuar më shumë banorëve të nxjerrin të ardhura nga punët e tyre të përditshme dhe për t’i krijuar më shumë mundësi komunitetit për të promovuar vlerat natyrore, traditën dhe produktet lokale”.
Një tjetër synim i këtij projekti, vijoi ajo, është krijimi i mundësisë që banorët dhe ata që kanë emigruar , apo ata që e kanë zemrën në Lurë për një arsye apo tjetër të investojnë në këtë territor.
Ajo shtoi se “projekti synon gjithashtu ngritjen e më shumë shërbimeve për turistët në Lurë për të krijuar një infrastrukturë të nevojshme për shumë aktivitete turistike, por edhe argëtuese, për ta bërë atë të konkurrueshme në rajon , në mënyrë që të tejkalojë famën që ka pasur dikur”.
Greca tha se “ne do të vijmë në Lurë për të zhvilluar takime dhe të diskutojmë me banorët se për çfarë ka nevojë kjo zonë, banorët por edhe grupet e ndryshme të interesit, ato që banojnë këtu apo edhe të tjerë”./k.s/






















