TIRANË, 22 mars /ATSH/- Një javë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli COVID-19 si pandemi dhe në mbarë botën janë marrë masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e tij, pasojat sociale të Coronavirusit të Ri po godasin fort gratë.
Programi i Kombeve të Bashkuara “UN Women” bën të ditur në një njoftim për shtyp, se në mbarë botën, gratë përbëjnë 70% të punonjësve në sektorin shëndetësor dhe social, dhe bëjnë punë të papaguar në shtëpi tri herë më shumë se burrat.
“Shumica e punonjësve shëndetësorë janë gra, çka i vë ato në rrezik më të madh. Pjesa më e madhe e tyre janë nëna dhe kujdestare të familjarëve të tyre. Ato vazhdojnë ta mbajnë peshën e kujdesit, e cila edhe në periudha normaliteti është shpërpjesëtimisht e lartë. Kjo situatë iu shkakton grave një nivel të konsiderueshëm stresi,” – u shpreh Drejtorja Ekzekutive e UN Women, Phumzile Mlambo-Ngcuka.
“Krahas kësaj, shumica e grave punojnë në ekonominë joformale, ku sigurimet shëndetësore ose nuk paguhen ose janë të papërshtatshme, dhe të ardhurat nuk garantohen. Duke mos qenë pikësynim i ndihmave financiare, gratë duhet të gjenerojnë vetë të ardhura. Kjo nuk është thjesht një çështje e shëndetit për shumë gra, por prek thelbin e barazisë gjinore.”
“UN Women po punon me partnerë për t’u siguruar që ndikimi me dallim gjinor i COVID-19 të merret parasysh në strategjitë e reagimit në nivel vendas, rajonal, dhe botëror,” – u shpreh Sarah E Hendriks, Drejtore e Departamentit Ndërqeveritar të Politikave dhe Programeve të UN Women.
“Këtu përfshihet analiza gjinore dhe mbledhja e të dhënave sipas seksit, në mënyrë që nevojat dhe realiteti i grave mos të lihen mënjanë, ndërkohë që përpiqemi të grumbullojmë më shumë të dhëna dhe informacione për COVID-19. Krahas kësaj, po përqendrohemi te programet që e rrisin qëndrueshmërinëekonomike të grave ndaj kësaj krize dhe krizave të tjera në të ardhmen, në mënyrë që t’i kenë burimet e nevojshme për to dhe familjet e tyre.”
UN Women po punon ngushtësisht me OBSH-në dhe agjenci të tjera të OKB-së, si dhe me Ekipet Vendore të Kombeve të Bashkuara, për të forcuar reagimin e bashkërenduar ndaj kësaj pandemie. Për më tepër, po shfrytëzon rrjetet ekzistuese të organizatave nën drejtimin e grave, për të përfshirë zërin dhe vendimmarrjen e grave në reagimin dhe gatishmërinë ndaj COVID-19.
“Aktualisht çështja më kyçe është të sigurohemi se gratë, personat me aftësi të kufizuara, dhe grupet e margjinalizuara të marrin informacionin e nevojshëm mbi krizën dhe rrezikun,” – u shpreh Paivi Kaarina Kannisto, Drejtore për Paqen dhe Sigurinë në UN Women.
UN Women ka dhënë një sërë rekomandimesh, duke theksuar nevojat dhe lidershipin e grave në reagimin e efektshëm ndaj COVID-19: Garantimi i disponueshmërisë së të dhënave sipas seksit, Përfshirja e dimensioneve dhe ekspertëve gjinorë në planet e reagimit dhe burimet buxhetore, Ofrimi i mbështetjes prioritare për gratë që janë në vijën e parë të reagimit, Garantimi i përfaqësimit të barabartë të grave në vendimmarrjen lidhur me reagimin dhe planifikimin e ndikimit afatgjatë, Hartimi i strategjive lehtësuese që synojnë në veçanti ndikimin ekonomik të pandemisë tek gratë. e.xh/






















