2.5 milionë euro për pajisjet mbrojtëse për mjekët/ Spahia: Qeveria e papërgatitur

TIRANË, 22 mars /ATSH – I. Vata/- Ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia tha se sot u publikua blerja 2.5 milionë euro për pajisjet mbrojtëse për mjekët, ndërsa PD e ka propozuar që në fillim të muajit shkurt.

Spahia tha sot se “në fillim të muajit shkurt, kryetari i PD kërkoi që të merren menjëherë masa për të pajisur stafin mjekësor me pajisje mbrojtëse të domosdoshme, për të përballuar situatën e pritshme me koronavirus. Rasti i parë me COVID-19 u konfirmua në 9 mars. Vazhduam pa pushim, me përgjegjshmëri të plotë, të kërkojmë pajisje mbrojtëse për mjekët, të bindur se Shqipëria nuk ka luksin për të futur në karantinë mjekët, dhe se siguria e mjekëve dhe infermierëve është mburoja e vetme midis qytetarëve dhe virusit”.

Ai shton se “mosmarrja e vendimeve të duhura, në kohën e duhur, është arsyeja e vërtetë pse Rama po detyron qytetarët të mbajnë të gjithë peshën e sakrificës dhe prej ditësh ka vendosur të braktisë detyrën e Kryeministrit dhe të mbyllet në shtëpi. Është pasojë direkte e vendimeve të vonuara të Edi Ramës infektimi i 9 mjekëve/infermierëve dhe vetëkarantimi i dhjetëra të tjerëve”.

Spahia tha se “qeveria duhet të vendos në dispozcion të shëndetësisë fondet e nevojshme, pajisjet e nevojshme, si dhe pa humbur kohë më shumë, të blejë në sasi të mjaftueshme edhe testet dhe materialet testuese për qytetarët”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.