TIRANË, 13 mars/ATSH/- Eugena Tomini, shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike, në një intervistë për mediat, mbrëmjen e sotme, theksoi se çelësi i suksesit në luftën ndaj koronavirusit është vetëkarantinimi dhe ruajtja e higjienës personale.
Sipas saj, ardhja e pranverës pritet të ulë intensitetin. “Pretendohet që ky virus, me ardhjen e plotë të pranverës, mund të ulë intensitetin e tij”.
“Është një luftë e përbashkët, duhet të përshtatemi dhe të ndryshojmë sjelljen. Duke respektuar masat paraprake, do të dalim fitues në një luftë të vështirë. Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa shumë më herët dhe planet janë ndjekur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Vetëkarantinimi dhe higjiena personale janë çelësi i fitores së kësaj lufte”, deklaroi Tomini.
“Të gjithë rastet me vështirësi në frymëmarrje do të testohen, për të parë nivelin. Jemi herët, në javët e tjera presim trend në rritje”,- tha ajo gjatë intervistës, teksa kujtoji e ardhja e pranverës mund të sjellë uljen e intensitetit të tij.












