PRISHTINË, 27 shkurt /ATSH/ Qeveria e Kosovës ka vendosur këtë pasdite të marrë hapin e parë, në shenjë të vullnetit të mirë, për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Lajmin e dha vetë kryeministri Albin Kurti në një dalje për mediet nga selia e qeverisë.
Sipas Kurtit, në shenjë të vullnetit për të normalizuar marrëdhëniet e ngrira si pasojë e vendosjes nga ish-qeveria Haradinaj të tarifës 100% për mallrat që vinin nga Serbia, si hap i parë do të hiqet duke filluar nga data 15 mars, tarifa për lëndët e para që vijnë nga shteti fqinj dhe nga Bosnjë-Hercegovina. Kusht do të jetë ndalja nga ana e Serbisë e fushatës së mosnjohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe fillimi i heqjes së barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Nëse edhe Serbia do të tregojë gjatë kësaj periudhe vullnet të mirë, duke filluar nga data 1 prill 2020 për një periudhë 90-ditore tarifa 100% do të hiqet krejt.
Nëse pala serbe nuk reflekton përsëri, atëherë qeveria e Kosovës duke filluar nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën përsëri. Reciprociteti i plotë tregtar do të vendoset pas 15 qershorit.
Kryeministri Kurti i është drejtuar edhe Bashkimit Europian me kërkesën për liberalizimin e vizave me qytetarët e Kosovës. Sipas Kurti, BE-ja duhet ta vlerësojë heqjen e taksës dhe të ofrojë liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj.
“Bashkimi Europian do ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për të hequr tarifën prej 100 për qind dhe në shkëmbim do t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e Qeverisë së Kosovës për eliminimin e barrierave ekonomike, atëherë Qeveria e Kosovës duke filluar nga data 1 prill do të nisë me implementimin e reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë, e më pas në fushën ekonomike e politike.
“Nëse Serbia nuk e përfillë vullnetin e mirë të qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill fillon zbatimin e gradual të parimit të reciprocitetit, fillimisht në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike”, tha kryeministri Kurti.
Nëse pala serbe nuk reflekton përsëri, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën përsëri. Reciprociteti i plotë tregtar instalohet pas 15 qershorit, shtoi Kurti.
Kryeministri Kurti tha që “në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor e rikthen tarifën për importet nga Serbia”.
















