TIRANË, 4 qershor/ATSH/ – Një grup studentësh të Kolegjit “Wheaton” nga qyteti i Çikagos zhvilluan një takim me ambasadoren shqiptare në SHBA, Floreta Luli-Faber dhe kanë shfaqur interes të madh për vendin tonë.
Si pjesë e një kursi veror intensiv mbi Politikën dhe Qeverisjen Amerikane, studentët vizituan Uashingtonin për të realizuar një numër takimesh në Senatin dhe Kongresin amerikan për të njohur nga afër mënyrën e funksionimit të këtyre institucioneve.

Të interesuar edhe për diskutime në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, studentët kishin interes të mësonin veçanërisht mbi Shqipërinë dhe rajonin, marrëdhëniet me SHBA-të dhe shkëmbimet mes dy vendeve.
“Ishte kënaqësi e vecantë të takoja këto studentë, të flisja për zhvillimet në një vend me demokraci të re dhe marrëdhëniet e partneritetit strategjik me SHBA-të, punën me Grupet e Interesit të Çështjeve shqiptare në Kongresin Amerikan dhe bashkëpunimi i ngushtë me to”, – është shprehur Ambasadorja.
Pjesë e këtij grupit ishte edhe studenti shqiptaro-amerikan Aaron Doci, i cili ishte mjaft aktiv gjatë këtij takimi. /z.tosku/ /a.g/











