Ballina Bota

BRUKSEL – KE përshëndet propozimet e Merkelit për eurozonën

BRUKSEL, 4 qershor /ATSH-AFP/ – Komisioni Europian përshëndeti, i përmbajtur, propozimet e kancelares gjermane, Angela Merkel për reformimin e eurozonës.

“Këto propozime ofrojnë, në këndvështrimin tonë, një parametër për të arritur një marrëveshje për çështjet e rëndësishme”, pohoi zëdhënësi Komisionit Europian, Margaritis Schinas, i pyetur gjatë konferencës së përjavshme për shtyp në Bruksel në lidhje me idetë e detajuara nga Merkeli në një intervistë që dha të dielën për të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

”Faza e ardhshme do të jetë samiti i krerëve të shtetit dhe qeverive (më 29 qershor). Ne vëmë theksin tek shpresa jonë, ose më tepër tek bindja që samiti për euron nuk do të jetë një samit ku do të diskutohet, por një samit ku merren vendime”, shtoi ai.

Komisioni Europian paraqiti në mënyrë të detajuar më 6 dhjetor vizionin për reformimin e zonës euro duke ndjekur hapin e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Merkel për një kohë të gjatë qëndroi në heshtje, pasi përjetoi vështirësi për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare ku partia e saj doli e dobësuar./ /v.b/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosovë- Gashi në Bruksel nënshkruan marrëveshjen për “Europën Kreative”
Artikulli tjetërStudentët amerikanë interes mbi Shqipërinë