– Zv.ministri i Bujqësisë, “modelet agroturistike, nxitje për zhvillimin e resurseve e potencialeve shqiptare, që rrisin të ardhurat në ekonomi” –
TIRANË, 2 qershor/ATSH/ – Këtë vit për herë të parë, nuk ka pasur asnjë kontestim nga fermerët për skemat e mbështetjes kombëtare në sektorin e bujqësisë.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, njëherazi, deputet i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, në vijim të turit të llogaridhënies, gjatë një takimi në Belsh të Elbasanit me fermerë dhe sipërmarrës në agroturizëm e agropërpunim tha se, “historia e vjetër për të dhënë para që të fitojnë financim nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor e Rural (AZHBR), këtë vit nuk ka pasur asnjë lloj reklamimi. Ndryshimi rrënjësor nga vjet, këtë vit, qëndron në faktin për sa i takon përzgjedhjes dhe dokumentacionit të aplikimit të fermerëve”.
“Në qarkun e Elbasanit, – u shpreh Balla, – shënohet këtë vit numri më i lartë i fermerëve fitues. Janë 542 fermerë të kualifikuar, ose 3 herë më shumë, ndërkohë që dhe interesi për të përfituar subvencione ka qenë më i lartë, duke dëshmuar kështu se është rritur besimi të përpjekja e qeverisë për të financuar sektorin bujqësor”, – theksoi ai.
Duke marrë fjalën gjatë këtij bashkëbisedimi me sipërmarrës të sektorit të agrobiznesit zv.ministri i Bujqësisë Dhimitër Kote vuri theksin në modelet e reja që duhet të ndjekë bujqësia sot, për investime shumëdimensionale duke përfshirë jo vetëm prodhimin bujqësor, blegtoral dhe agrobiznesit, por edhe atë të agroturizmit.
“Përmes programit ‘100 fshatrat’ qeveria po mbështesë me fonde dhe politika lehtësuese sipërmarrjet rurale agroturistike”, – tha Kote, duke i cilësuar pikat e agroturizmit, si modele të një zhvillimi të ri plotësues të gjithë sektorit të bujqësisë në vendin tonë.
Përmes agroturizmit, ne i japim nxitje zhvillimit të resurseve dhe potencialeve ende të pashfrytëzuara që janë mjaft të kërkuara nga tregu, turistët dhe rrisin të ardhurat e ekonomisë, tha Kote, duke evidentuar si të tilla, sektorin e bimëve mjekësore, shafranin, mjaltin etj. /e.xh//a.g/






















