Ballina Ekonomi

Ulje drastike taksash për biznesin e vogël

TIRANË, 2 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Biznesi i vogël është një motor i pazëvendësueshëm i ekonomisë tonë, ndaj ne po përgatitemi për një ulje drastike të taksës së fitimit për biznesin e vogël”.

Kështu deklaroi të shtunën Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Cërrik, në vijim të turit të llogaridhënies publike.

Duke premtuar ulje të konsiderueshme taksash, Rama tha se biznesi është realisht strategjik për punësimin dhe vetëpunësimin.

Kryeministri nënvizoi faktin se sot, për shkak të pragut 80 milionë lekë në vit të xhiros, biznesi gënjen që t’i shmanget kapërcimit të pragut, pasi hyn pastaj në skemën me Tatim Fitimi nga 5% në 15% dhe konsiderohet sot që flasim biznes i madh.

“Ata që sot deklarojnë xhiro 70-80 milionë lekë gënjejnë”, – tha Rama. Kjo, sipas tij, është arsyeja pse pati reagim agresiv ndaj përfshirjes në skemën e TVSH-së, që është një instrument për t’i nxjerrë të gjithë zbuluar.

“Do ta rrisim pragun deri në 140 milionë lekë dhe Tatim Fitimi do të jetë vetëm 5% dhe jo 15% në fashën nga 80 në 140 milionë lekë”, – tha Rama.

Kundrejt propagandës dhe zhurmës politike e mediatike për rritjen e taksave, Rama ritheksoi se “kjo nuk është e vërtetë”.

“Janë rritur vetëm 2 taksa, ajo për më të pasurit dhe taksa e karburantit, për të mos rënduar me taksa të gjithë popullsinë”, – shtoi ai.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPlatforma e bashkëqeverisjes, qytetari ka fuqinë të ngrejë ministrin në këmbë
Artikulli tjetërUrgjencë e re multifunksionale në spitalin e Elbasanit