Ballina Kryesore

Urgjencë e re multifunksionale në spitalin e Elbasanit

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ – Me një investim prej 190 milionë lekësh, në muajin korrik fillon ngritja e urgjencës multifunksionale në qarkun e Elbasanit, si modeli i parë bashkëkohor me standardet më të mira në ofrimin e të gjitha shërbimeve shëndetësore.

Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha të shtunën gjatë turit të llogaridhënies në qytetin e Elbasanit se, me investimet e ndërmarra kemi përmirësuar infrastrukturën në sistemin shëndetësor.

Numri dy i shëndetësisë theksoi se, ne synojmë në 4 vitet e ardhshme të ndërtojmë 300 qendra të reja shëndetësore në të gjithë vendin, ndër të cilat këtë vit do të përfundojnë 80 qendra dhe vetëm në qarkun e Elbasanit këtë vit përfundojnë 7 qendra me një vlerë investimi 260 milionë lekë.

Duke u ndalur në sektorin e punësimit, Rakacolli informoi se, përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë” kemi punësuar infermierë dhe teknikë të mesëm në sistemin shëndetësor, përmes procedurave transparente dhe kurikulave.

Në këtë portal, tha ajo kanë aplikuar nga qarku i Elbasanit 216 persona nga të cilët 160 janë kualifikuar dhe 46 prej tyre, më të mirët punojnë në qytetin e Elbasanit. Në qarkun e Elbasanit i gjithë i gjithë sistemi shëndetësor është i plotësuar me personel teknik mjekësor, tha Rakacolli, ndërsa shtoi se, po punohet për plotësimin e qendrave shëndetësore me personel mjekësor të specializuar.

“Përmes sistemit bonus dhe patronazhimit, ne po plotësojmë shërbimet mjekësore për qytetarët në qytetin apo zonën ku ata ndodhen. Me sistemin bonus në qarkun e Elbasanit kanë përfituar shërbim mjekësor mbi 4000 persona. Ndërsa në Librazhd përmes patronazhimit, kemi ofruar shërbimin ORL dhe në spitalin e Gramshit tani kryhen të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale”, – deklaroi Rakacolli.

Falë investime sot spitali rajonal i Elbasanit ka rikonstruktuar shërbimin e urgjencës, ndërsa në kuadër të projektit për investime në aparatura me vlerë 4.5 milionë euro, edhe në qytetin e Elbasanit po vendoset aparati i rezonancës manjetike nukleare, që për qarkun e Elbasanit e mbyll plotësisht ciklin e ekzaminimeve, duke e sjellë spitalin e këtij qarku në të njëjtat cilësi shërbimesh, siç e kanë spitalet universitare.

Nga ana tjetër, Rakacolli deklaroi se nga 18 analiza sot në Elbasan bëhen 41 lloje duke shtuar gamën e shërbimeve shëndetësore me standarde dhe cilësi për të gjithë qytetarët.

“Për t’ju përgjigjur shërbimit të urgjencës paraspitalore, ne parashikojmë të blejmë gjatë 4 viteve 100 ambulanca të reja. Ndërsa këtë vit flotës së ambulancave i shtohen 32 ambulanca bashkëkohore. Sot në rajon e Elbasanit ka 1 ambulancë për 43 mijë banorë por në fund të këtij vit është parashikuar që do të ketë 1 ambulancë për 24 mijë banorë, pra duke sjellë një përmirësim të ndjeshëm shëndetësor edhe në këtë drejtim”, – tha Rakacolli.

e.xh/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUlje drastike taksash për biznesin e vogël
Artikulli tjetërBERLIN – Juncker: Të respektohet qeveria e re italiane