TIRANË, 22 janar /ATSH/- Këshilli i Ministrave ka miratuar tarifat e shërbimeve elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, “shërbimet elektronike në favor të organeve dhe institucioneve të administratës publike dhe subjekteve private ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kundrejt aplikimit të tarifave përkatëse.
Për organet dhe institucionet e administratës publike, shërbimi elektronik për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG), ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën zero lekë.
Për subjektet private, shërbimi elektronik për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG), ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit me tarifat, si më poshtë vijon:
a) 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 vit;
b) 20 (njëzet) lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve vulë elektronike/për transaksion;
c) 4 000 (katër mijë) lekë, përfshirë TVSH-në, për certifikata elektronike për sistemin fiskal, me afat vlefshmërie 1 vit;
ç) 15 (pesëmbëdhjetë) lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
Pagesa e tarifave kryhet nga subjektet private në momentin e aplikimit on-line për kryerjen e veprimeve dhe të procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin e-Albania.
Të ardhurat e realizuara derdhen 100% në buxhetin e shtetit. Vendimi nr.15, datë 12.1.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë të Informacionit”, shfuqizohet. e.xh/ /a.a/






















