Ballina Bota

SEUL – Bisedime ndërkoreane para samitit Trump-Kim

SEUL, 1 qershor /ATSH-AFP/ – Delegacionet e nivelit të lartë të dy Koreve janë takuar sot për të diskutuar për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, para samitit të parashikuar mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe drejtuesit koreano-verior, Kim Jong Un.

Këto bisedime ishin planifikuar në fillim të muajit, por u anuluan pas reagimit të Phenianit për manovrat e përbashkëta Seul-Uashington.

Megjithashtë, pas përfundimit të manovrave të ashtuquajtura “Max Thunder” më 25 maj, drejtuesi koreano-verior, Kim Jong Un dhe presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in u takuan për një samit të papritur në zonën e çmilitarizuar që ndan gadishullin, takimi i dytë i këtij lloji pas një samiti të parë ndërkorean në fund të prillit.

“Ne po diskutojmë mbi mënyrat se si të zbatojmë në mënyrë efektive dhe pa probleme marrëveshjet e arritura nga dy drejtuesit”, deklaroi për shtypin ministri koreano-jugor i Unifikimit, Cho Myoung-gyon para se të nisej për në Panmunjom.

“Bëhet fjalë gjithashtu për krijimin e një atmosfere pozitive për samitin Uashington-Phenian”, shtoi ai./ /ec/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUlja e tatim-fitimit, mundësi reale për rritjen e punësimit
Artikulli tjetërAltimari: Skënderbeu mit autentik, figurë kyçe e identitetit arbëresh