Ballina Lajme nga Vendi

Studentë nga Gjermania dhe Franca vizitojnë Portin e Durrësit

TIRANE, 31 maj/ATSH/ – Një grup studentësh gjermanë, francezë dhe shqiptarë vizituan portin e Durrësit, në kuadër të projektit “Ideas and Action for Europe: Energy and Environment in the 21st Century”.

Veprimtaria është organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me mbështetjen e “Centre International de Formation Europennee” dhe “Franco-German Youth Office”.

Për më shumë se një orë Blerina Hasani, drejtore e Mjedisit, Sigurimit teknik, Mbrojtjes së shëndetit dhe Departamentit të Emergjencave në APD si dhe shefi i sektorit të Promocionit, Arben Xhemali u bënë të njohur të pranishmëve në Sallën e Trajnimeve jo vetëm funksionimin e portit, por edhe projektet e afërta në hapësirën portuale.

Studentët shqiptarë dhe të huaj, mjaft të interesuar për zhvillimet e portit më të madh të vendit tonë, kërkuan më shumë informacion, veçanërisht për kushtet dhe politikat mjedisore që aplikohen në territorin e tij.

Më pas të rinjtë u shoqëruan në Terminalin e Mallrave Gjenerale, ku panë nga afër proceset e përpunimit të anijeve.

24 të rinjtë nga Gjermania, Franca dhe Shqipëria kanë në fokusin e vizitës së tyre në vendin tonë çështjet mbi energjinë, mjedisin dhe integrimin europian. /e.malaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Uashingtoni përgatit aplikimin e tarifave doganore për çelikun europian
Artikulli tjetërKuvendi voton projektligjet në rendin e ditës, opozita nuk merr pjesë në votim