Ballina Aktualitet

Durrësi ndez dritat e festave/ Banorët: Qyteti do ringrihet në këmbë


TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ – Qyteti i Durrësit këto ditë ka ndezur dritat e festave duke dashur të lërë pas hijen e errët të tërmetit të 26 nëntorit.

Zbukurimet e festave kanë sjellë atmosfera në qytetin bregdetar pas ditëve të vështira, ndërsa qytetarët japin mesazhin e ringritjes.

Gjatë një vëzhgimi të Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Durrës në këtë pragfestash qytetarët duken më të qetë dhe më të buzëqeshur teksa shijojnë xhirot në qendër të qytetit e ku fëmijët argëtohen me zbukurimet e shumta që janë vendosur për të mirëpritur festat e fundvitit.

Një qytetar u shpreh për ATSH-në se, “ka një tendencë për të rifilluar normalitetin. Kemi nxjerrë fëmijët që ta heqim dhe ne pak mendjen nga ndodhitë e fundit”.

Një tjetër qytetare tha se, “na duket si ëndërr e keqe. Tani me këtë atmosferë që është krijuar duket sikur s’ka ndodhur gjë. Festat mezi po i presim, sepse jemi dhe me fëmijë dhe kur je me fëmijë se s’bën do i festosh”.

Një fëmijë shprehet se i pëlqejnë shumë pemët dhe dritat dhe se është shumë i gëzuar që po vijnë festat.

“Kjo atmosferë është një shpresë për njerëzit, ç’ka tregon se jeta vazhdon dhe gjithçka kaloi. Kjo ishte një provë që kaloi dhe kjo atmosferë të jep një frymë të re. Qyteti është i zbukuruar dhe Durrësi do të ringrihet prapë në këmbë”, tha një tjetër qytetare për ATSH-në.

Një tjetër qytetare tha se kjo atmosferë po i pëlqen shumë, sepse i duheshin këto zbukurime qytetit për të dalë pak nga gjendja që la tërmeti.

“Jeta vazhdon dhe duhet të vazhdojë. Unë kam ardhur nga Italia për të parë gjendjen këtu dhe falë zotit shtëpia ime ishte mirë. Atmosfera tani është shumë e bukur këtu në Durrës tamam festive”, tha një tjetër qytetar.

/a.a/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPas tërmetit/ Mësim edhe në shkollat e përkohshme pranë strukturave hoteliere në Durrës
Artikulli tjetërITALI – Rikthehen skuterët elektrikë në rrugët e Milanos