Ballina Kryesore

Pamje nga Vlora e rilindur, nis puna edhe për bulevardin e ri

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155636197541523/

 

TIRANE, 11 Mars/ATSH/- Të tjera investime vijojnë në qytetin bregdetar të Vlorës, sikurse është edhe rikonstruksioni i bulevardit “Ismail Qemali”, projekt i financuar nga qeveria shqiptare në kuadrin e Programit Kombëtar për Rilindjen Urbane dhe Banka e Këshillit të Europës, që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Me pamje nga Vlora e rilindur, Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjes ndjekësit në rrjetin social facebook. “Mirëmëngjes, dhe me këtë vrapim me sy mbi Vlorën e rilindur, ku ka ende shumë akoma për të bërë, e shumë më shumë do të bëhet, ju uroj një të dielë të bukur”, shkruan Rama.

Në fazën e parë të projektit, është parashikuar rindërtimi i Bulevardit kryesor nga rrethrrotullimi pranë qendrës tregtare “Riviera” deri në kryqëzimin e Bulevardit Kryesor me rrugën “Petrit Bisha”.

Gjate realizimit të projektit në këtë segment parashikohen ndërhyrje në të gjithë infrastrukturën ekzistuese nëntokësore, projekt i ri i shtresave rrugore, si dhe urbanizim.

Punimet do të ndahen në disa segmente me qëllim realizimin në kohë dhe me cilësi të projektit, por edhe për të shmangur ngarkesat në qarkullimin e makinave dhe këmbësorëve nëpër qytet.

Bllokimi pjesor i Bulevardit dhe devijimi i lëvizjes së mjeteve është parashikuar të fillojë në segmentin rrethrrotullimi pranë qendrës tregtare “Riviera” deri në kryqëzimin e bulevardit me rrugën “Gjergj Arianiti”.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit njofton se përgjatë këtij segmenti lëvizja e mjeteve do të jetë e ndaluar, ndërsa lëvizja e këmbësorëve do të kufizohet në gjeresi 2-2.5 m nga objektet e bizneseve përgjatë këtij segmenti./a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakParashikimi i motit, e dielë 11 mars 2018
Artikulli tjetërAXHENDA NDËRKOMBËTARE 11/03/2018