TIRANE, 10 Mars/ATSH/ – Përgjatë tre ditëve ka vijuar shpërndarja e bazës ushqimore për banorët si dhe e ushqimit për gjënë e gjallë në rrethin e Shkodrës, pas situatës problematike të krijuara nga reshjet e ditëve të fundit.Në një prononcim për ATSH-në, Prefekti i qarkut të Shkodrës, Çesk Millja deklaroi se shpërndarja e bazës ushqimore të siguruara nga Ministria e Mbrojtjes, Emergjencat Civile dhe Ministria e Bujqësisë ka vazhduar pa ndërprerje. “Janë 600 pako me ushqime të shpërndara nga Forcat e Armatosura të ushtrisë, ndërsa dje dhe sot ka nisur edhe shpërndarja e 14.5 tonëve koncentrat dhe rreth 10 tonë jonxhë për bagëtinë.Donatorët kanë ofruar edhe rreth 8 tonë ushqim për gjënë e gjallë”, deklaroi Millja për ATSH.Po ashtu, nga Forcat e Armatosura është bërë edhe furnizimi me ujë të pijshëm për të gjithë banorët e prekur. Prefekti i Shkodrës tha se dhe komuniteti i biznesit, i organizuar nga Dhoma e Tregtisë së Tiranës, ka ofruar mbështetje për banorët e prekur.“Situata është nën monitorim dhe po punohet për kthimin e normalitetit në të gjithë zonën”, deklaroi Millja. Sipërfaqja e përmbytur në Obot dhe Dajç ka rënë, vetëm gjatë pjesë së parë të ditës me 30%, ndërsa edhe prurjet natyrale të liqenit janë në rënie. “Nga 2300 hektarë të përmbytura një ditë më parë në mesditën e sotme llogariten vetëm 1800 hektarë të përmbytura”, tha Millja. Më tej, ai informoi se shkarkimet në basenin e lumit Drin janë zero. “Kemi vetëm prurje natyrale që vijnë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, i cili po punon me kapacatitet të plotë dhe këto prurje llogariten rreth 550 metër kub për sekondë”, tha Millja. Edhe niveli i ujit në Liqenin e Shkodrës është në rënie, bëri të ditur ai. Ndërsa përmirësimi i kushteve të motit, ka bërë të mundur edhe qarkullimin e mjeteve për në fshatin Obot.
Ballina Kryesore













